Ditën e shtunë do të luhet java e 30 e Kategorisë Superiore, e cila ka hyrë në një “fazë të nxehtë” si për zyrtarizimin e Partizanit si kampion të këtij viti, ashtu dhe për garën për kupat europiane dhe atë për mbijetesë, ku përveç Kamzës, të gjitha skuadrat e tjera janë ende me pozita të pasigurta.

Partizani nuk e ka siguruar ende matematikisht titullin, por avantazhi 12 pikësh ndaj vendit të dytë tregon qartë se asgjë nuk mund të ndryshojë më. Në prag të transfertës me Kastriotin, i cili ende shpreson te mbijetesa, kërkohet përqëndrim maksimal.

Kukësi, i cili nga humbja e javës së shkuar me Flamurtarin humbi garën për titull, këtë të shtunë do të luajë me Tiranën në kryeqytet.

Por, nëse Kukësi ka si objektiv mbajtjen e vendit të dytë, te bardheblutë mbetet ende në lojë mbijetesa.

Ndërkohë, Skënderbeu do të udhëtojë drejt Laçit me një moral mjaft të lartë, pas fitores 4-0 ndaj Kastriotit në ndeshjen e javës së shkuar.

Ndeshja tjetër mes Flamurtarit dhe Luftëtarit është një tjetër përballje objektivash kryesorë; vlonjatët me këtë marshim prej 4 fitoresh radhazi janë tashmë pretendentë seriozë për zonën europiane.

Të gjtiha ndeshjet e kësaj jave të 30 të Superiores do të zhvillohen ditën e shtunë, e skuadra që do të bëj pushimin e javës për shkak të përballjes me Kamzën e përjashtuar është Teuta e Durrësit.

Top Channel