I ftuar këtë të enjte në studion e Top Talk ishte Tritan Shehu, i cili foli për vendimin më të fundit të PD për të mos marrë pjesë në zgjedhje pa u garantuar më parë se ato do të jenë të lira e të ndershme. Gjithashtu një tjetër temë e prekur është vendimin i parlamentit holandez për rikthimin e vizave.

PD në mbledhjen e përbashkët mes kryesisë dhe grupit parlamentar ka dalë me vendimin që të mos regjistrohet në zgjedhjet e 30 qershorit pa u plotësuar më parë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, e të kundërshtojnë çdo zgjedhje fasadë.

Këto qëndrime, Tritan Shehu i cilëson si të anoncuara që kohë më parë, një vendim që vjen si rrjedhojë e djegieve të mandateve deri në garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Ky ishte një vendim i anoncuar. Në momentin që PD vendosi lënien e mandateve të deputetëve për të arritur një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, që nga ai moment nuk mund të pranosh proces tjetër zgjedhor pa u krijuar terreni i plotë i sigurisë për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Shehu.

Më tej ai thekson se edhe OSBE do e thotë qartësisht se zgjedhje pa opozitën nuk ka

“Jam i bindur se edhe OSBE do e thotë qartësisht se zgjedhje pa opozitën nuk ka. Zgjedhje në një vend demokratike, pa të gjithë opozitën nuk mund të bëhen sepse janë zgjedhje të deformuara dhe një produkt i deformuar është i rrezikshëm për stabilitetin e vendit në tërësi”, tha ai, duke evidentuar zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme si zgjidhje e ngërçit.

Tritan Shehu e cilëson si antikushtetuese zëvendësimin e deputetëve të opozitës.
“Ata që janë në parlament janë në mënyrë anti-kushtetuese, sepse ka një vendim të Gjykatës Kiushtetuese të 1993 për sistemin proporcional se nuk mund të marrin mandatin e deputetit nga listat pa miratimin e forcës politike”

Vendimi i Holandës, Tritan Shehu: Kambanë Alarmi
Një kambanë alarmi, e cilëson Tritan Shehu vendimin e parlamentit holandez për rikthimin e vizave për Shqipërinë, duke apeluar se ajo duhet të lexohet qarte ë duhet të ketë një reagim para se një kërkesë e tillë të vijë edhe nga shtete të tjera.

“Një kambanë alarmi për gjendjen që ka Shqipëria, më vjen keq që kryeministri tallet, zv/ministri i jashtëm justifikohet. Duhet ta marrim të qartë mesazhin që vjen nga Holanda. Ajo ka qenë e para që ka miratuar liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Në të ardhmen mund të jetë një shtet tjetër”, u shpreh Tritan Shehu, duke sugjeruar se Shqipëria duhet të luftojë kriminalitetin në vendin si dhe duhet të dekriminaliuojë institucionet për të kaluar këtë situatë.

Në përfundim të intervistës, Tritan Shehu shprehet se pavarësisht dëshirës së tij për hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë, situata aktuale tregon s kjo nuk ka për të ndodhur këtë qershor.

“Do të doja që Shqipëria të hap negociatat, por nga ajo çfarë shoh unë kjo nuk ka për të ndodhur”, tha Shehu.

Top Channel