Në prag të sezonit turistik në Gjirokastër një grup të rinjsh kanë filluar pastrimin nga ndotjet plastike përgjatë shtegut më të ri turistik atij që të çon drejt urës së Ali Pashës, në lagjen Dunavat.

Endri njëri nga të rinjtë tregon se ditën që vendosi të vizitonte urën historike që lidh 2 krahët e një përroi në Malin e Gjerë pa se i gjithë shtegu këmbësor ishte i mbuluar me mbetje plastike.

2 fundjava rresht të rinjtë janë përpjekur të gjejnë edhe mbështetjen e banorëve të lagjes që janë përgjegjës për ndotjen, por reagimet kanë qenë të pakta tregojnë vullnetarët e kësaj fushate të pazakontë pastrimi.

Manjola që ka një njësi tregtimi në qafën e pazarit tregon se ju bashkua me shumë dëshirë fushatës pasi edhe prej kontakteve të saj me turistë rezulton se ndotja në mjedis është shumë e lartë.

Andrew që është vullnetar i Korpusit të Paqes dhe që e ka pasion ecjen në natyrë është shumë i kënaqur me iniciativën dhe priste që një ditë kjo të ndodhte.

“Mjedisi i ndotur zbeh ndjeshëm bukuritë e pikave të tilla turistike dhe natyrore si dhe ndikon negativisht në zhvillimin e turizmit. Aktivitete të tilla ku komuniteti mblidhet bashkë për një situatë që na prek të gjithëve kanë një ndikim shumë pozitiv dhe mund të nxisë aktivitete të ngjashme gjithandej”, tha Andrew Craig, vullnetar i Korpusit të Paqes.

Vullnetarët kanë vendosur dy kosha të improvizuar buzë përroit ndërsa i kanë ftuar banorët të respektojnë punën e 30 vullnetarëve. Pastrimi i përrenjve është një prej sfidave më të mëdha mjedisore në bashkinë e Gjirokastrës. Megjithëse prej ndërmarrjes së shërbimeve janë organizuar disa aksione masive në pak muaj shpatet janë mbuluar sërish nga mbeturina.

Top Channel