Kosova shënon këtë të dielë 11-vjetorin e Pavarësisë, pa e përmbyllur ende finalen e madhe të dialogut me Serbinë, për t’i dhënë fund armiqësisë dhe arritjes së një marrëveshjeje paqësore, historike.

Dita e Pavarësisë, për herë të parë po shënohet edhe me Ushtrinë në konsolidim e sipër, por Kosova mbetet ende vendi më i izoluar në Europë, pa liberalizim vizash.

  Kosova, 11 vjet shtet. Nisin festimet, ekspozohet deklarata e shpalljes së Pavarësisë

Në përvjetorin e kaluar, i cili shënoi jubileun e parë, Kosova kishte 116 njohje nga shtetet e ndryshme; ndërsa këtë vit numri nuk ka njohur rritje, kurse vendi i shumëdëshiruar në OKB është ende i paarritshëm.

Me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë, Qeveria e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje solemne dhe më pas është mbajtur ceremonia e ngritjes së flamurit të shtetit të Kosovës.

  Haradinaj: Pavarësia jeton me ne; Sot FSK-ja parakalon si ushtri

Kuvendi i Kosovës është mbledhur po ashtu në një seancë solemne, ndërkohë që më herët janë bërë homazhe edhe në varrin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, e në Prekaz te kompleksi i Jasharajve.

Në këto çaste kemi një parakalim të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga sheshi “Nënë Tereza” në atë “Ibrahim Rugova”, e në mbrëmje do të ketë edhe një pritje shtetërore.

  Thaçi: Të pezullohet taksa! Fundi i vitit sjell marrëveshjen historike me Serbinë

Në këtë përvjetor, urimet për Kosovën janë të shumta, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, që përmes një deklarate ka përshëndetur popullin e Kosovës dhe ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për ta ndihmuar vendin në hapjen e dyerve për një të ardhme të begatë.

Urime kanë ardhur edhe nga Britania e Madhe, Gjermania, Franca etj., ndërsa nuk mund të mungonte edhe ai i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

  Rama uron 11 vite shtet, Thaçi: Meritë e qytetarëve, falenderime miqve me në krye SHBA

Top Channel