Rama uron 11 vite shtet, Thaçi: Meritë e qytetarëve, falenderime miqve me në krye SHBA

17/02/2019 09:56

Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të dielë me një urim të veçantë kushtuar ditëlindjes së shtetit të Kosovës, që këtë 17 shkurt feston 11-vjetorin e Pavarësisë së saj.

E ndërsa në Prishtinë, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj kanë qenë të ngarkuar me pjesëmarrjen në ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Republikës së Kosovës, për të vijuar më pas me nderimet para shtatores së presidentit Rugova dhe lapidarin e të pagjeturve, në rrjetet sociale janë dhënë deklaratat e para për këtë ditë festive.

“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës para 11 viteve ishte akti historik më sublim, që institucionalizoi përpjekjet tona për liri. Për këtë arritje kanë merita të gjithë qytetarët. I falënderojmë të gjithë miqtë tanë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kontribuuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. U jemi mirënjohës përjetë”, shkruan Hashim Thaçi në Facebook.

Më tej, presidenti i Kosovës i dedikon edhe një status nderimi të përjetshëm, siç e cilëson ai, për bashkëluftëtarin e orëve të para në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe familjes së tij për sakrificën sublime.

“Nderime të gjithë Dëshmorëve të Kombit!”, mbyll reagimet e tij kreu i shtetit kosovar.

Top Channel