Mësuesit që akuzohet se ka përdhunuar vajzën nga Drenasi i Kosovës, i është dhënë masa e paraburgimit për një muaj, ndërkohë që debatet dhe zemërimi në vend është i madh.

Mësuesi akuzohet për veprën penale të abuzimit seksual duke shpërdoruar pozitën, autoritetin apo profesionin, si dhe veprën penale të nxitjes së akteve seksuale me premtimin e rremë për martesë.

Rasti ku është i përfshirë edhe një zyrtar policie, tek i cili vajza kishte bërë denoncimin, por që në përfundim e kishte abuzuar edhe ai, ka nxjerrë me qindra protestues në rrugë, në Drenas dhe Prishtinë, që kërkojnë drejtësi.

Sidoqoftë, duket se nuk kemi të bëjmë thjesht me një rast të izoluar, por me një fenomen. Vetëm brenda 24 orëve të shkuara, mediet kosovare kanë raportuar të paktën edhe dy raste të tjera.

Një në Gjakovë, ku Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj një mësuesi, që dyshohet se ka ngacmuar seksualisht 27 nxënës nën moshën 16-vjeçare, si dhe një tjetër në Gjilan, ku një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është arrestuar, nën dyshimin se ka abuzuar seksualisht me një vajzë të moshës 15-vjeçare.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë dy viteve të fundit në Kosovë janë shënuar 123 raste ngacmimesh, keqtrajtimesh apo abuzimesh me fëmijë.

Top Channel