Plot 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, të cilët janë përfshirë në afera korruptive, iu është mohuar viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada amerikane në Tiranë sqaron për Top Channel se, ajo i merr shumë seriozisht pretendimet për korrupsion, e për këtë arsye do të vijojë të shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve publikë me kontroll shtesë.

“Që nga revokimi i vizave të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve në janar të vitit 2017, Ambasada e SHBA iu ka mohuar vizat më shumë se 170 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, e familjarëve të tyre. Kjo është diçka përpos përcaktimit të deputetit Tom Doshi dhe ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, dhe familjeve të tyre, nga Sekretari i Shtetit si të pakualifikueshëm për viza amerikane përgjithmonë. Pozicioni i Ambasadës së SHBA kundër korrupsionit dhe synimi i saj për t’iu mohuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar mbetet i pandryshuar”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë për Top Channel.

Emrat e zyrtarëve të refuzuar nuk bëhen të ditura nga Ambasada amerikane. Debati për refuzimin e vizave nga Ambasada amerikane u rikthye në vëmendjen e opinionit publik një javë më parë, kur kryeministri Edi Rama aludoi se Sali Berishës i është ndaluar udhëtimi për në Amerikë.

Të parët që mësuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin futur në një “listë të zezë” ishin njerëzit e drejtësisë. Atyre iu anuluan apo refuzuan vizat. Lista doli në publik, ndërsa vettingu më pas konfirmoi vërtetësinë e vendimit amerikan.

Top Channel