FIFA i ka konfirmuar zyrtarisht për BBC-së se nuk do të merret asnjë masë disiplinore ndaj mesfushorit argjentinas Leandro Paredes, pas skenave kaotike që u panë menjëherë pas fishkëllimës përfundimtare të finales së Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës.

Argjentina humbi finalen 1-0 pas kohës shtesë ndaj Spanjës, në “New York/New Jersey Stadium”. Menjëherë pas ndeshjes, shpërtheu një përleshje e ashpër mes dy skuadrave. Paredes u përfshi drejtpërdrejt në incident, duke shtyrë me forcë mbrojtësin spanjoll Eric Garcia dhe duke e kapur atë për fyti, ndërsa Gavi u përpoq të mbronte shokun e skuadrës por përfundoi i rrëzuar në tokë nga argjentinasi.

Fillimisht, sistemi zyrtar i informacionit të FIFA-s për komentatorët raportoi se gjyqtari sllovak Slavko Vinčić e kishte nxjerrë me karton të kuq Paredesin për përfshirjen e tij në sherr. Pak kohë më vonë, ky karton i kuq u hoq nga raporti zyrtar i ndeshjes, duke lënë kështu paqartësi të mëdha mbi atë çfarë kishte ndodhur në të vërtetë.

Konfuzioni mes “e kuqe e anuluar” dhe “asnjë e kuqe fare”

Gazetari i BBC Sport, Dale Johnson, sqaroi situatën duke thënë se në fakt nuk kishte pasur asnjë karton të kuq të “anuluar”, pasi karton i kuq realisht nuk ishte dhënë kurrë zyrtarisht, informacioni fillestar ishte thjesht i pasaktë dhe më pas u fshi nga sistemi i FIFA-s.

Vetë FIFA nuk ka dhënë shpjegime publike se përse u hoq raportimi fillestar i kartonit të kuq, por konfirmimi i saj për BBC Sport se nuk u mor asnjë masë disiplinore e mbylli praktikisht çështjen në nivel ndeshjeje.

Reagimet nuk munguan

Skena e përleshjes tërhoqi kritika të forta nga ish-futbollistë të mëdhenj. Sipas raportimeve, Zlatan Ibrahimović komentoi ashpër sjelljen e Paredesit, duke thënë se do të kishte reaguar me kokëfortësi nëse do të ishte në vendin e kundërshtarëve spanjollë dhe se qëndrimi i argjentinasit ishte joprofesional. Kritika erdhën edhe nga emra si Wayne Rooney dhe Alan Shearer.

Në incident u përfshinë edhe lojtarë të tjerë argjentinas, mes tyre Nahuel Molina, i cili u pa duke goditur me grusht Rodrin, i shpallur më pas lojtari më i mirë i turneut.

A ka pasoja për Argjentinën?

Ndonëse Paredes personalisht nuk do të përballet me ndëshkim, FIFA ka hapur një hetim ndaj sjelljes së përgjithshme të skuadrës argjentinase pas ndeshjes. Komiteti disiplinor i FIFA-s ka caktuar një prokuror për çështje disiplinore dhe etike për të vlerësuar ngjarjet e ndodhura pas fërshëllima së fundit, dhe hetimi mund të prekë edhe Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA). Sipas Kodit Disiplinor të FIFA-s, sjellje të tilla si përleshjet fizike parashikojnë normalisht një pezullim minimal prej tre ndeshjesh për kombëtaren.

Deri më tani, mbetet e paqartë nëse do të ndërmerret ndonjë rishikim i brendshëm mbi mënyrën se si u trajtua vendimi i gjyqtarit në kohë reale.

Top Channel