Video/ Zbulohen pas 74 vitesh rrënojat e avionit Pan Am që u rrëzua në Atlantik, tragjedia që ndryshoi rregullat e aviacionit

21/07/2026 18:49

Pas më shumë se shtatë dekadash, një ekip ndërkombëtar kërkimor ka zbuluar në fund të Oqeanit Atlantik rrënojat e fluturimit 526A të kompanisë Pan American World Airways (Pan Am), një prej aksidenteve më tragjike në historinë e aviacionit civil.

Avioni u lokalizua më 2 qershor në një thellësi rreth 600 metra dhe rreth tetë kilometra larg brigjeve të San Juan, në Porto Riko. Zbulimi u bë falë përdorimit të një mjeti autonom nënujor, të pajisur me sonar dhe kamera me rezolucion të lartë, të cilat skanuan zonën për disa ditë.

Sipas The New York Times, pamjet e para konfirmuan identitetin e avionit, duke treguar logon e Pan Am, pjesë të trupit të avionit, marshin e uljes dhe dritaret e kabinës. Një pjesë e mirë e strukturës është ruajtur në gjendje të habitshme, pavarësisht se ka qëndruar nën ujë për 74 vjet.

Fluturimi 526A, i njohur edhe si “Speciali i Pashkëve”, ishte nisur nga San Juani më 11 prill 1952 me destinacion New Yorkun. Vetëm nëntë minuta pas ngritjes, dy nga katër motorët e avionit Douglas DC-4 pësuan defekt. Piloti tentoi të kthehej në aeroport, por humbja e vazhdueshme e lartësisë e detyroi të kryente një ulje emergjente në Oqeanin Atlantik.

Të gjithë 69 personat në bord i mbijetuan përplasjes fillestare me ujin. Megjithatë, pak minuta më vonë trupi i avionit u ça dhe filloi të fundosej. Kaosi gjatë evakuimit, deti i trazuar dhe hezitimi i shumë pasagjerëve për të braktisur avionin rezultuan fatalë. Në total, 52 persona humbën jetën, kryesisht si pasojë e mbytjes, ndërsa 39 trupa nuk u gjetën kurrë.

Prezantuesi i emisionit “Expedition Unknown” në Discovery Channel, Josh Gates, i cili mori pjesë në projektin kërkimor, e përshkroi momentin e zbulimit si emocionues.

“Kur pamë pamjet e para, mbetëm pa fjalë. Avioni është ruajtur jashtëzakonisht mirë dhe të shihje strukturën e tij ende të dallueshme në fund të detit ishte një përjetim i pabesueshëm”, u shpreh ai.

Ekspertët theksojnë se tragjedia e vitit 1952 shënoi një pikë kthese për aviacionin civil. Pas këtij aksidenti u vendosën procedura të reja sigurie, përfshirë udhëzimet e detyrueshme për pasagjerët para çdo fluturimi, të cilat përdoren edhe sot.

Misioni për gjetjen e avionit u drejtua nga Fondacioni Air/Sea Heritage, ndërsa kërkimet u vonuan për vite për shkak të kushteve të vështira të motit dhe pandemisë së COVID-19. Një nëndetëse autonome realizoi rreth 30 misione mbi zonën e fundosjes, duke regjistruar më shumë se 350 mijë fotografi.

Ekipi kërkimor bëri të ditur se nuk do të ndërmarrë operacione për nxjerrjen e rrënojave apo kërkimin e mbetjeve njerëzore, duke e konsideruar vendin si një memorial të tragjedisë.

Top Channel