Tre viktima nga hantavirusi në Venezuelë, autoritetet: Rastet janë të izoluara

21/07/2026 18:40

Tre persona kanë humbur jetën nga hantavirusi në shtetin Anzoategui, në lindje të Venezuelës, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e vendit.

Sipas autoriteteve, dy vdekje të tjera të punonjësve të shëndetësisë në shtetin Barinas janë ende nën hetim dhe deri më tani nuk rezultojnë të kenë lidhje me rastet e konfirmuara në Anzoategui.

Ministria theksoi se bëhet fjalë për raste të izoluara dhe se aktualisht nuk ekziston një kërcënim për shëndetin publik.


Në një deklaratë zyrtare, autoritetet shpjeguan se hantavirusi transmetohet kryesisht nga brejtësit në zonat rurale dhe bujqësore. Infektimi ndodh përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga urina, jashtëqitjet ose pështyma e brejtësve, veçanërisht në ambiente të mbyllura.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë sqaroi se nuk ka prova shkencore që ky virus të transmetohet nga njeriu te njeriu në Venezuelë.

Ndërkohë, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan muajin e kaluar se kishin përfunduar reagimin ndaj një shpërthimi të hantavirusit në një anije turistike, ku humbën jetën tre persona.

Sipas CDC-së, varianti “Andes” i hantavirusit, i cili ishte përgjegjës për atë shpërthim, është i vetmi lloj i njohur deri më tani që mund të transmetohet mes njerëzve përmes kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur.

Top Channel