Gjykata e Posaçme ricaktoi sërish një avokate falas nga shteti për kryebashkiakun e Tiranës. Valentina Teodoresku, e cila ishte caktuar për Erion Veliajn edhe në gjykimin paraprak, do të njoftohet për ta mbrojtur funksionarin lokal në seancën e radhës, që do të mbahet më 15 shtator.

Ky vendim u shpall nga trupa gjyqësore pas mungesës së Plarent Ndrecës, avokatit të Veliajt. Ai kishte dorëzuar një kërkesë për shtyrje të procesit, pasi ndodhej në një proces tjetër civil, por për këtë mungesë u ankuan prokurorët e SPAK, të cilët i sugjeruan gjykatës gjobitjen e mbrojtësit. Gjykata e pranoi kërkesën dhe e gjobiti Ndrecën me 50 mijë lekë.

Avokati Ndreca reagoi duke thënë se do t’i drejtohet publikisht Dhomës së Avokatisë, pasi nuk mund të ndodhej njëkohësisht në dy gjyqe të ndryshme. Ai hodhi gjithashtu dyshime se gjobitja mund të ishte një formë që synon heshtjen e tij, duke qenë se vazhdimisht ka pasur kritika për gjykimin ndaj Veliajt. Sipas tij, mungesa ishte e justifikuar, përderisa përfaqësonte një tjetër klient, ndërsa u shpreh se shpresonte që ky qëndrim të mos ishte një reagim ndaj kritikave të tij.

Ndaj Veliajt kishte gjatë ditës edhe një proces në Gjykatën e Lartë. Teksa në gjyqin e themelit çështja po shtyhet vazhdimisht, në Gjykatën e Lartë u la në fuqi pezullimi i afateve të paraburgimit ndaj funksionarit lokal.

Kjo e martë ishte ditë kryebashkiakësh. Kishte seancë paraprake edhe për ish-kryebashkiakun e Divjakës, edhe për atë të Kolonjës.

Të dyja seancat paraprake, ku Fredi Kokoneshi dhe Erion Isai janë nën akuzë nga SPAK, u shtynë për në fillim të muajit shtator.

Gurali Brahimllari, avokati i Ajola Xoxës: E mbrojtura prej meje nuk është e pranishme, për shkak se është me raport mjekësor. Në respektim të vendimit të gjykatës, klientja që mbroj, në cilësinë e pacientes, ka bërë konsultën tek mjeku që e ka ndjekur. Për respekt të të dhënave personale, nuk po i lexoj ato çfarë mjeku deklaron, por ajo vazhdon në të njëjtën situatë dhe e ka të pamundur që të jetë prezente në këtë proces, për të realizuar mbrojtjen efektive.

Prokurori Ols Dado: Konstatojmë që pengesë për zhvillimin e seancës po bëhet mbrojtja e të pandehurit Erion Veliaj. Po ashtu, duhet që gjykata të caktojë edhe mbrojtës kryesisht, të vendoset gjobë sipas vlerësimit të gjykatës dhe të pezullohen afatet e paraburgimit për të pandehurin. Për Ajola Xoxën, operacioni cezarian nuk e pengon që të marrë pjesë në seancën gjyqësore.

Gjykata tërhiqet për të marrë vendim të ndërmjetëm mbi kërkesat e palëve.

Top Channel