Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do ta shkatërrojë ekonomikisht Turqinë, nëse ajo sulmon forcat kurde në Siri, pas tërheqjes së planifikuar të trupave amerikane.

Në dy postime në Twitter, të dielën, Trump tha se ai nuk donte asesi që kurdët të provokonin Turqinë.

Forcat amerikane kanë luftuar përkrah milicive kurde në Sirinë veriore, kundër grupit të Shtetit Islamik.

Turqia, sidoqoftë, i konsideron Njësitë e Mbrojtjes Popullore “YPG” si terroristë. Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka folur me zemërim për mbështetjen amerikane ndaj grupit në fjalë, e ka premtuar se do ta godasë atë.

Trump ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqjen e trupave, duke thënë se çdo luftëtar i mbetur i Shtetit Islamik mund të sulmohet nga ajri. Ai nuk tha sesi do të dëmtohej ekonomia e Turqisë, nëse kjo e fundit do të sulmojë kurdët.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione dhe tarifa tregtare mbi Turqinë në gusht, në mesin e një mosmarrëveshjeje mbi një pastor amerikan të arrestuar, gjë që kontribuoi në një rënie të konsiderueshme të vlerës së lirës turke. Pastori, ndërkohë, u la i lirë në tetor.

Komentet e Trumpit, të dielën, pasojnë kritika të mëhershme për vendimin e tij të papritur për të tërhqeur trupat amerikane nga Siria. Një zyrtar i lartë saudit ka thënë së fundmi se, tërheqja e SHBA do të ketë pasoja negative, që do të shkojnë në të mirë të Iranit, Rusisë dhe presidentit sirian Bashar al-Assad.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ndodhet aktualisht në kryeqytetin saudit Rijad, në kuadër të një turneu në Lindjen e Mesme, që ka si qëllim pikërisht qetësimin e aleatëve të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Top Channel