Në Shqipëri ka raste me fruth. Shtyrja në kohë e vaksinës “MMR” që bëhet te bebet një vjeç, apo refuzimi i saj, kanë bërë që në vendin tonë të ketë raste me fruth, ndonëse jo në përmasat e një epidemie.

Shqipëria renditet në vendin e 6 në Europë për nga numri i të prekurve nga fruthi. Viti që u mbyll shënoi 1.376 raste, ndërkohë që vetëm javën e parë të janarit ka pasur raste të reja, kryesisht te fëmijët e vegjël nën 2 vjeç.

“Deri në datën 8 janar janë evidentuar 9 raste pozitive me fruth. Këto raste, sidomos kohët e fundit, që nga muaji nëntor kur kurba e epidemisë ka rënë në mënyrë mjaft të ndjeshme, ne kemi raste në Tiranë dhe kryesisht të fëmijëve të moshave deri në dy vjeç”, tha Silva Bino.

Në këtë situatë, Instituti i Shëndetit Publik ka udhëzuar që kjo vaksinë të bëhet që kur bebet mbushin 9 muaj, pasi është vënë re një rënie e imunitetit që transmetohet nga nëna te bebja.

“Fëmijët duhet të fillojnë vaksinimin në moshën 9 muajshe, por shohim që kjo gjë nuk po zbatohet. Nuk po zbatohet nga mjekët e konsultoreve, por nuk po zbatohet sidomos nga prindërit, të cilët dëgjojnë lloj-lloj sharlatanësh dhe nuk i vaksinojnë fëmijët kundrejt fruthit, ose përpiqen ta shtyjnë vaksinën e fruthit me frikën e autizmit. Unë e përsëris edhe njëherë se, bazuar në fakte shkencore dhe në të gjitha eksperiencat e vendeve, vaksina ndaj fruthit nuk shkakton autizëm”, tha më tej Silva Bino.

Rastet e reja të prekura janë të gjithë nga Tirana dhe burimi i infeksionit mendohet të jetë Urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare, ku për shkak të virozave ka fluks fëmijësh.

“Për shkak të virozave respiratore dhe të një dyndjeje që prindërit bëjnë në QSUT, pikërisht në Urgjencën e QSUT-së ku bëhet filtrimi i pacientëve, atje sëmuren fëmijët dhe transmetohet sëmundja e fruthit”, thotë Bino.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive u bën thirrje prindërve të shmangin sa të mundin Urgjencën e Pediatrisë dhe të drejtohen te pediatri pranë Qendrës Shëndetësore, në mënyrë që bebet e tyre të mos bien në kontakt me virusin e fruthit.

Nga ana tjetër kërkohet vaksinimi ndaj fruthit, e në të gjithë institucionet arsimore, si çerdhe e kopshte, është kërkuar të mos pranohet asnjë fëmijë që nuk ka bërë vaksinat.

Top Channel