Në Shqipëri ka edhe biznesmenë që kanë evidentuar në kohë rrezikun nga “piratët” e internetit, madje investojnë që transaksionet të kryhen nën asistencën e ekspertëve. I tillë është rasti i një mobilerie në Tiranë, punonjësit e së cilës kanë arritur të bllokojnë në kohë hakerat.

“E-maile të dëmshëm kanë ardhur në postën tonë dhe persona që e administrojnë postën kanë klikuar në këto e-maile dhe hakeri ka arritur të ketë akses”, tha Aurel Sterjo.

Skema është ajo që aplikohet gjerësisht. Tashmë, komunikimet mes bizneseve kontrolloheshin dhe modifikoheshin nga hakeri, sipas interesit të tij.

“Ne kemi hasur në adresën tonë dy e-maile që ishin vënë në forward. Çdo e-mail që vinte në adresën tonë bëhej forward drejt dy adresave të panjohura”, tha Aureli.

Pas disa korrespondencave, furnitori kërkon derdhjen e parave. Por, ajo që kishte ndodhur ishte se në të vërtetë e-maili ishte dërguar nga hakeri që kishte modifikuar numrin e llogarisë.

“Filluan të dërgonin e-maile tek klientët tanë, bankat, ku i mashtronin me transaksionet. Falsifikuan firmat, gjithçka dhe devijonin rrugën e parave”, tregon Aureli.

Gjithçka ishte bërë sipas interesit të hakerit që kontrollonte dhe manipulonte e-mailet mes furnitorit të huaj dhe biznesit shqiptar, për të arritur deri te synimi final, derdhja e parave.

“Banka në këtë rast na njoftoi për transaksionin që ne kërkonim. Në fakt, nuk e kërkonim ne, por të tjerë. Më vonë ne pastaj i pamë transaksionet dhe shkëmbyem info-t e duhura për ta zgjidhur”, tregon Aureli.

Kjo kompani ka arritur të bllokojë plot 3 tentativa grabitjeje nga “piratët” e internetit. Aureli tregon konkretisht se si duhet të mbrohen sot kompanitë.

“Për të bërë një mbrotje të mirë, perfekte nuk ekziston, duhen një sërë pajisjesh. Gjëja e parë është mbrojtja që bën secili duke mos klikuar në websajte të ndryshme, në link që nuk i njihni, duke mos hapur materiale që nuk janë familjare me ju”, tha Aureli.

Zakonisht, më të rrezikuara janë kompanitë e vogla dhe të mesme që kanë buxhete të ulta e për pasojë kapacitete të dobëta mbrojtëse në sistemet e tyre informatike. Është provuar se 43 % e sulmuesve kibernetikë synojnë pikërisht ndërmarrjet e vogla.

Top Channel