Grabitja e 7.5 milionë lekëve në Durrës, që i përkisnin Drejtorisë së Transportit Rrugor, i ka kushtuar shtrenjtë dy policëve të kompanisë private që kryente shoqërimin e autoblindës, me të cilën transportoheshin paratë.

Gjykata e Durrësit i ka lënë në burg dy policët privatë pasi ata akuzohen për “shpërdorim detyre” në grabitjen e parave që ndodhi mbrëmjen e 14 dhjetorit në zonën e Shkozetit.

“Gjykata e Durrësit ka vendosur, vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të datës 14.12.2018, ora 24:00 i shtetasit Fejzi Hekuran Sakaj, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” që parashikohet nga neni 248 i Kodit Penal, në zbatim të nenit 259 pika 3 të Kodit Procedurës Penale. Caktimin e masës shtrënguese “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim Fejzi Sakaj, në zbatim të neneve 232 gërma “dh” e 238 të Kodit Procedurës Penale”, thuhet në procesverbalin e çështjes.

Gjithashtu gjykata ka vendosur “vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të datës 14.12.2018, ora 23:30 i shtetasit Astrit Nefail Gjata, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës’”, dhe caktimin e masës shtrënguese “Arrest me burg” ndaj tij.

Grabitja në Durrës u realizua nga dy persona të maskuar që i prenë rrugën autoblindës me para dhe nën kërcënimin e armëve neutralizuan policët e kompanisë private, duke marrë të gjithë shumën e parave që gjendej në makinë.

Top Channel