Liberalizimi i vizave për Kosovën, Soltes: Të shmangim “aparteidin” me vizat

13/11/2018 10:35

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Igor Soltes ka dalë me një deklaratë të fortë për Kosovën, duke artikuluar hapur se nuk duhet lejuar një “aparteid me vizat”, siç e cilësoi ai.

Komentet e eurodeputetit slloven, të bëra për “Radion Europa e Lirë”, pasojnë deklaratat e ditëve të fundit të disa zyrtarëve të bllokut se, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës mund të marrë më shumë kohë nga sa pritej.

“Nuk i di arsyet që shtyjnë disa vende anëtare të refuzojnë ‘dritën jeshile’ për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, deklaroi Soltes.

Pritshmëritë kanë qenë të mëdha se procesi i shumëpritur do të merrte më në fund udhë dhjetorin e këtij viti, por zërat skeptikë brenda BE-së rreth kësaj janë shtuar ndjeshëm së fundi.

Raportuesi shpreson megjithatë në vazhdimësi se, pas pak javësh, kjo çështje do të jetë në agjendën e Këshillit të Ministrave dhe se, deri atëherë ka ende kohë për të bindur të lëkundurit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po përpiqet nga ana tjetër të dërgojë mesazhin se Prishtina i ka marrë seriozisht të gjitha detyrimet që dalin në fushën e sundimit të ligjit.

Për këtë arsye, gjatë javës Parlamenti do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, për të miratuar 4 ligje që lidhen me proceset e integrimit europian dhe liberalizimin e shumëdëshiruar të vizave.

Haradinajn madje e çudisin zvarritjet në këtë drejtim, sepse sipas tij, të gjitha kushtet e vendosura tashmë janë përmbushur.

Top Channel