Manchester United e ka nisur mjaft keq kampionatin anglez, teksa pas gjashtë javëve të para ka marrë vetëm 10 pikë, por mbrëmjen e sotme u konfirmua plotësisht se skuadra është në krizë.

“Djajtë e kuq” u eliminuan nga Carabao Cup nga skuadra e Derby Countit, në një sfidë që rezultoi dramatike për mijëra tifozë që kishin mbushur shkallët e “Old Traffordit”.

Skuadra e Mourinhos gjeti avantazhin që në fillim me anë të Juan Matës dhe u duk se gjithçka do të ishte e lehtë, por miqtë reaguan në pjesën e dytë dhe arritën të përmbysin rezultatin, ndërsa Romero la Manchesterin me 10 futbollistë, pasi u ndëshkua me karton të kuq.

Mesfushori belg Marouanne Fellaini u dha një mundësi “djajve” të Mourinhos që të siguronin kualifikimin, pasi shënoi golin e barazimit në minutën e 94-t dhe dërgoi ndeshjen te penalltitë.

Gjithsesi pas plot 16 penalltish të ekzekutuar, Jones i Manchester Unitedit ishte ai që gaboi, duke bërë që skuadra e Mourinhos të eliminohet nga kjo Kupë.

Skuadra tjetër e qytetit të Manchesterit, City i Guardiolës nuk e diskutoi kualifikimin, teksa mposhti Oxfordin me rezultatin 0-3 në transfertë, falë golave të Gabriel Jesusit, Mahrez dhe të riut Foden.

Top Channel