Pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, deputetët dhe drejtues të lartë politikë të PS kanë nisur takimet me bazën për të rigjallëruar strukturat dhe për tu përgatitur për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Bashkisë Shkodër, ku i deleguar është ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

PS nis fushatë me sloganet “E Gjithë Vëmendja te Ju”, “Partia Socialiste e hapur për Njerëzit”, ku përfaqësuesit lokalë do të kontaktojnë me gjithë qytetarët në çdo cep të territorit të Shqipërisë.

Gjatë kësaj mbledhje u diskutua për fushatën kombëtare “Partia Socialiste e Hapur për Ty”. Gjatë kësaj fushate kryebashkiakët socialistë do të zhvillojnë takime në të gjitha njësitë vendore që përfshin bashkia e tyre për të dhënë llogari para qytetarëve. Në bashkitë ku PS nuk ka drejtimin do të mbahen shënim të gjitha shqetësimet e qytetarëve.

Do të jenë këto takime, që do të marrin dhe aprovimin ose jo të punës së çdo bashkiaku dhe të qeverisë. Në të njëjtën kohë u diskutua edhe mbi procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillave Bashkiake për zgjedhjet vendore 2019. Në këtë kuadër u theksua se kandidatët e kësaj force politike duhet të jenë përfaqësues të denjë të komunitetit, njerëz me integritet moral dhe profesional të cilët të zhvillojnë një fushatë te drejtë, të ndershme dhe të arrijnë një fitore të pastër.

Top Channel