Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) arrestoi 6 punonjës të Policisë Kufitare për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Pas një hetimi disa mujor, SHÇBA ka goditur veprimtarinë e paligjshme të ushtruar nga 6 punonjës policie dhe disa shtetas, në vijën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë, në zonën e Kakavijës.

Duke shpërdoruar detyrën, këta punonjës policie në kohë të ndryshme kanë lehtësuar kalimin e paligjshëm nëpërmjet vijës së gjelbër, kundrejt shpërblimit, për shtetas të ndryshëm që kanë patur probleme me lëvizjen në zonën ‘Shengen’.

Për disa muaj me radhë, efektivë të SHÇBA kanë mbajtur nën vëzhgim, përgjuar dhe kryer veprime simuluese, për të dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të këtyre shtetasve.

Gjykata e Rrethit gjyqësor Gjirokastër ka vendosur për këta punonjës policie, masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Top Channel