Kukësi zhvilloi përgatitjet e fundit ndaj skuadrës së Torpedos nën një situatë aspak të këndshme. Skuadra verilindore ditët e fundit është përballur me problemin e vizave për disa futbollistë të saj që për më tepër janë pjesë e formacionit.

Lajmi i mirë për nënkampionët e vendit se të paktën 2 nga këta lojtarë tashmë janë pjesë e skuadrës dhe bëhet fjalë për Malokun dhe Reginaldon me këtë të fundit që u bashkua me ekipin në mëngjesin e kësaj të enjteje. Një gjendje e tillë ka shqetësuar edhe trajnerin Armando Cungu që nuk e fshehu aspak indinjatën e tij.

“Atmosfera nuk është shumë e mirë për ne. Kishim probleme pasi 4 lojtarë të formacionit nuk morën vizat. Është hera e parë që më ndodh një gjë e tillë. Është shumë e çuditshme. Kemi ardhur për të luajtur futboll asgjë më tepër. Futboll do të thotë Fair Play. Futbolli lidh njerëzit dhe vendet mes tyre, nuk i ndan ata. nuk duam t’ia dimë për politikën Duam të luajmë futboll. Fitoftë më i miri , por jo në këtë mënyrë. Do të bëjmë punën tonë, por nuk do të jetë e lehtë”, tha Armando Cungu, trajneri i kukësit.

Ndërsa kapiteni i Kukësit, Ylli Shameti pasi i dha të drejtë trajnerit të tij, deklaroi se Kukësi do të japë maksimumin në fushën e lojës pasi i ka të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar në raundin tjetër të Europa League. Ndeshja mes Torpedos dhe Kukësit do të luhet sot në orën 19:00.

Top Channel