Një edicion i shkurtër informativ në faqen e Web-it, me zhvillimet e deritanishme nga Rusia 2018.

“IT’S COMING HOME” BËHET VIRALE, ANGLIA NË GJYSMËFINALE
Kalimi i Anglisë për herë të parë pas 28 vitesh në gjysmëfinalet e një Botërori ka ndezur më shumë se kurrë entuziazmin e tifozëve. “It’s coming home”, apo “Po kthehet në shtëpi”, është një frazë që po stampohet në mijëra fanela, duke përfshirë edhe jelekun e trajnerit Southgate.

PICKFORD, FUTBOLLISTI MË I MIRË. REVANSHI I TALENTIT
Jordan Pickford u zgjodh futbollisti më i mirë i ndeshjes, në kualifikimin e Anglisë në dëm të Suedisë, një revansh i talentit të Evertonit ndaj qindra kritikëve në startin e këtij Botërori. Me vetëm 8 prani në përfaqësuese, ai quhet një bast i fituar.

TIFOZËT ARABË, “VIKTIMAT” MË TË LEHTA TË HAJDUTËVE
Tifozët e Arabisë Saudite ishin ata që u bënë më së shumti viktima të vjedhjeve në Botërorin e futbollit. Sipas statistikave të policisë ruse, sauditët ranë më tepër se çdo grup tjetër tifozësh, prè e vjedhjeve në rrugë.

DY STACIONE METROJE NË BRUKSEL, NË NDER TË BELGJIKËS
Kualifikimi i Belgjikës në gjysmëfinalet e Botërorit ka entuziazmuar të gjithë kombin, aq sa në Bruksel, dy stacione metroje do të riemërohen në nder të përfaqësueses. “Merod Duivel” dhe “Deme Final” janë ndalesat e reja në kryeqytetin belg.

NEYMAR, REKORD ME RRËZIMET DHE SIMULIMET NË TOKË
Veç daljes së parakohshme, ky Botëror do të mbahet mend për Brazilin edhe për simulimet e Neymar. Ky i fundit ka qëndruar përtokë në 3 minuta për çdo ndeshje, pak për shkak të faulleve e pak për aktrimin e tij në fushë.

Top Channel