Gjermani, Merkel qëndron me Seehoferin ministër të Brendshëm

03/07/2018 08:16

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer bën prapakthehu dhe tërhiqet nga dorëheqja, vetëm pas orësh të tëra bisedimesh për të shmangur krizën me Kancelaren Angela Merkel.

Ai tha dy partitë konservatore në koalicionin qeverisës kanë rënë dakord tashmë mbi mënyrën e parandalimit të emigracionit të paligjshëm përgjatë kufirit me Austrinë.

Më herët, ai kishte kërcënuar me dorëheqje nga posti i rëndësishëm në kabinet, por tashmë thekson se kontrollet më të ashpra kufitare janë rakorduar. Edhe Merkel ka deklaruar pas bisedimeve se një zgjidhje kompromisi është gjetur.

Seehofer udhëheq Unionin Kristian-Social (CSU), partinë simotër bavareze të kristian-demokratëve (CDU) të Merkelit.

“Pas diskutimeve intensive mes CDU-së dhe CSU-së kemi arritur një marrëveshje mbi mënyrën sesi mund të ndalim në të ardhmen emigracionin e paligjshëm në kufirin mes Gjermanisë dhe Austrisë”, tha Seehofer për reporterët, teksa po largohej nga selia e CDU-së në Berlin.

Seehofer kërkoi të drejtën për të kthyer mbrapsht emigrantët e paligjshëm në kufijtë e Bavarisë, por Merkel mbroi edhe njëherë marrëveshjen e arritur në samitin e Bashkimit Europian.

Ata kanë rënë dakord tashmë një plan për të ashtuquajturat qendra tranziti, prej të cilave njerëzit që kanë kërkuar azil në vende të ndryshme të BE-së mund të dërgohen në pikën e tyre të hyrjes, gjithnjë nëse shtetet e tjera do ta pranojnë këtë.

Por çfarë ndodhi mes dy partive të koalicionit? Zyrtarë të lartë të CSU-së shprehën dëshirën e tyre për të qëndruar në bashkëqeverisje me CDU-në e Merkelit. Kancelarja mori mbështetjen nga të dyja partitë në një takim parlamentar të së hënës, aty ku Seehofer mungoi.

Top Channel