Gjermania na merr 4.500 infermierë: 2.500 kanë gjetur punë, 2.000 po aplikojnë

02/07/2018 15:06

Prej rreth dy vitesh, mjekët dhe infermierët shqiptarë janë masivisht me sy e veshë nga Gjermania. Shoqata e Infermierëve deklaron shifra alarmante për mjekët e larguar dhe veçanërisht për ata që presin të ikin.

“Në Gjermani kanë ikur rreth 2.500 infermierë aktualisht, që nga koha e portalit. Gjithashtu ne kemi informacion se rreth 2.000 të tjerë janë në proces për të ikur. 2.500 janë që nga janari deri në qershor. Shumica e tyre janë profesionistë që kanë vite punë, nuk është se janë të sapodiplomuar. Profilet që kërkohen më tepër janë kujdesi në familje, në spitalet gereatrike, që e ka më të theksuar Gjermania, Pediatria dhe Reanimacioni”, thotë Elson Jaçaj, president i Shoqatës së Infermierëve.

Për Shoqatën e Infermierëve, problemi me këta profesionistë nis që në universitet. Në Shqipëri numërohen mbi 10 fakultete, ku secili ofron 300 kuota pranimi, pra 3.000 të diplomuar për infermier në vit, ndërkohë që portali ofron punë vetëm për 400 infermierë. Por, shkaktarët kryesorë që i detyrojnë infermierët të ikin janë të tjera:

“I gjithë personeli shëndetësor, jo vetëm infermierët, kanë një stres shumë të madh aty ku punojnë. Flas të paktën për QSUT-në ku unë punoj. Infermieri bën shumë punë, bën punën e psikologut, të recepsionistit, të sekretarit, sepse duhet t’i shërbejë pacientit, duhet të hape kartelën që është punë e mjekut, ta regjistrojë në sistem që është punë e një sekretari dhe e gjithë barra bie mbi infermierin. Së fundmi privati ka filluar të ulë pagat, i merr infermierët në provë 3 muaj. Kur baza në Shqipëri është 40 mijë lekë për infermierët dhe rreth 65, 70 mijë për mjekët, jashtë paga minimale është është 1.800 euro për infermierët dhe 2.800 apo 3.000 euro për mjekët”, shprehet më tej Elson Jaçaj.

Infermierët dhe mjekët shqiptarë ikin për një punë më dinjitoze për veten, por lënë pas pikëpyetje të mëdha për shëndetësinë që na pret nesër.

“Nuk e di ku do jemi pas disa muajsh, jo kohësh. Nëse me këtë ritëm të gjithë do të largohen, kush do të ngelet këtu? Sa profesionistë do të jenë dhe si do të jetë shërbimi shëndetësor në vend?”, deklaron Jaçaj.

Top Channel