Ura 300-vjeçare në rrezik shembje, kërkohet të shpallet monument kulture

21/06/2018 14:55

Ura 300-vjeçare e Kovaçit në Voskopojë pavarësisht vlerave historike dhe kulturore nuk është në listën e monumenteve të kulturës.

Ura e cila ka shërbyer për të lidhur Voskopojën me zona të tjera, prej vitesh dëmtohet për shkak të motit të keq dhe mungesës së mirëmbajtjes. Dëmtimet shihen me sy të lirë në strukturën e kësaj ure.

Përfshirja në listën e monumenteve të kulturës do të çonte dhe drejt restaurimit të saj. Gjergji Koki, drejtor i Monumenteve të Kulturës Korçë, thotë se synimi është që ura e Kovaçit një ditë të jetë e tillë.

“Shumë shpejt do të përgatisim gjithë dokumentacionin përkatës për t’ua propozuar Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe ndërkohë kemi marrë masa për ta sinjalizuar këtë problematikë, që për fat të keq çdo ditë po agravon dhe po rrezikon shembjen e harkut të urës”, thotë Gjergji Koki, drejtor i Monumenteve të Kulturës Korçë.

Ura prej guri sot nuk u shërben më udhëtarëve. Por duke mos qenë më e dobishme për zonën, ura e Kovaçit rrezikon të humbë edhe vlerat historike.

Top Channel