Kukësi pret Champions, drejtori i ekipit: Ende s’kemi diçka zyrtare

12/06/2018 15:36

Nënkampionët e Kukësit janë skuadra më aktive në këtë merkato verore, duke bërë disa prezantime brenda pak ditësh pasi nga dita e premte nisen për në Slloveni për fazën përgatitore në Slloveni. Në një intervistë për Top Channel, drejtori i skuadrës verilindore, Nderim Nexhipi ka theksuar se për momentin nuk ka asgjë zyrtare.

“Informacioni nga UEFA ishte që ekipi jonë do të luajë në raundin e parë të Champions League. Megjithatë, unë mendoj se duhet të pritet vendimi përfundimtar dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodhë. Të them të drejtën, deri tani nuk është se kam pritur ndonjë lajm”, shprehet Nexhipi.

Gjithsesi për skuadrën nënkampione objektivi për në Europë është i qartë.

“Do të bëjmë çmos që të arrijmë në grupet e Europa League. E dimë se kjo është e vështirë, por kjo ka qenë objektiv edhe kur ne nuk kemi qenë. Dhe trajneri i ka idetë e qarta për këtë”, thotë Nexhipi.

Për momentin skuadra e Kukësit ka blerë zyrtarisht 4 lojtarë të rinj, duke filluar nga Faton Maloku, ish-portieri i Ferronikelit në kampionatin e Kosovës, Arlind Kalan ish-mesfushori i Vllaznisë, Edias Maliqin mbrojtësi nga Shkupi dhe Harallamb Qaqin ish-mbrojtësi i Laçit. Gjithashtu pritet zyrtarizimi i dy sulmuesve të rinj, Sebino Plaku ish-sulmuesi i Kamzës dhe Rexhinaldo, ish-sulmuesi i Laçit.

Top Channel