Thaçi nuk dekreton serbin për Kushtetuesen: I dënuar në Serbi

25/05/2018 13:59

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi refuzoi t’i japë “dritën jeshile” caktimit të një serbi etnik në Gjykatën Kushtetuese të vendit, pas pretendimeve se ai ka marrë një dënim në Serbi për kontrabandë.

Zyra e Thaçit njoftoi se, Radomir Labani nuk do të emërohet derisa “institucionet kompetente të sigurisë dhe ato të gjyqësorit të verifikojnë plotësisht situatën e tij”.

Labani u propozua nga partia kryesore serbe e Kosovës, “Lista Serbe”, dhe u votua nga Parlamenti i Kosovës më 22 maj. Por, mediet në Serbi raportojnë se ai kërkohet atje si një nga 21 personat e dënuar në vitin 2011 për përfshirje në veprime të paligjshme kontrabande.

Ato thonë madje se, Labani është denuar me 6 vite burg për rolin e tij në këtë çështje nga Gjykata e Lartë e Beogradit, e se me kërkesë të Serbisë është vendosur edhe në listën e personave të kërkuar nga INTERPOL-i.

Ndërkohë, “Lista Serbe”, që ka 9 vende në Parlamentin e Kosovës, vazhdon të këmbëngulë se Labani është njeri me “integritet dhe cilësi të larta morale”.

Top Channel