Çifti i prokurorëve të marrë të pandehur nga prokuroria e Durrësit për fshehje dhe refuzim të deklarimit të pasurisë u pezulluan nga detyra nga eprorja e re Arta Marku, me të cilën ata hynë në luftë menjëherë sapo ajo u zgjodh si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.

Ish drejtoresha e dekriminalizimit Rovena Gashi e cila prej muajit dhjetor u caktua me urdhër të Markut si prokurore e thjeshtë në të njëjtin sektor dhe bashkëshorti i saj gjithashtu prokuror, Dritan Gina do të qëndrojnë të pezulluar derisa hetimet ndaj tyre të përfundojnë.

Zyra e shtypit e kryeprokurores shpjegoi se Arta Marku e dha këtë urdhër menjëherë sapo u njoh me ngritjen e akuzes ndaj dy prokurorëve.

Top Channel kërkoi reagimin e dy prokurorëve por asnjëri prej tyre nuk dha asnjë koment. Ajo që dihet është se pas zëvendësimit të ish prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla me Arta Markun, e para që u zbrit në detyrë ishte Rovena Gashi, e konsideruar si krahu i djathtë i Llallës.

Pothuajse një muaj më pas Arta Marku kreu lëvizjen tjetër duke penalizuar edhe bashkëshortin e saj, i komanduar si kryeprokuror në Elbasan. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës, Dritan Gina refuzoi për disa orë të linte zyrën duke hapur një kapitull të ri përplasjesh me Markun në prokurori.

Gina e kallëzoi Arta Markun për shpërdorim detyre, një çështje që përfundoi në prokurorinë Durrës por që gjatë gjykimit ai e konsideroi hetimin si të paravendosur për sa kohë çështja po hetohej sipas Ginës nga shoqja e Arta Markut. Humbja e radhës për çiftin ishte rrëzimi në Administrative i Rovena Gashit që kërkoi të anulohej urdhri që e shkarkonte si shefe të dekriminalizimit.

Tashmë të dy ata janë nën hetim për pasuritë nga prokuroria e Durrësit, që është e njëjta prokurori që në muajin prill delegoi pranë Krimeve të Rënda çështjen ndaj ish shefit të akuzës Adriatik Llalla.

Por edhe për Llallën siç thonë burimet, grupi i hetimit është fare pranë marrjes së një vendimi.

Top Channel