Incelët, “Beqarët e Pavullnetshëm”, që urrejnë gratë e nxisin vrasje në masë

12/05/2018 13:12

Personi i dyshuar për sulmin me furgon në Toronto kishte shkruar në Facebook rreth “Rebelimit Incel”, duke i dhënë vëmendje të madhe asaj që është kthyer në një sub-kulturë interneti. Incel është bashkimi i fjalëve (Involuntary-Celibate), që do të thotë “beqar i pavullnetshëm”.

Por cilët janë incelët, djemtë e rinj që frekuentojnë forumet e beqarëve të pavullnetshëm?

“Nuk kam shpresa ta bëj një vajzë të më pëlqejë”, shkruan 19-vjeçari Xhek Piterson nga Çikagoja, një nga mijëra dejmtë që vizitojnë forumet incele në Reddit apo në faqe të tjera.

“Kam përvoja të këqija nga lidhjet e mëparshme dhe tani është e vështirë të vazhdosh me lidhje të tjera. Kam pasur lidhje me vajza që më kanë bërë gjëra të këqija”, shkruan ai.

Këto ndjesi stresi, zemërimi e urrejtje janë shumë të zakonshme në forumet “incel”. Fola me disa prej tyre dhe janë ose adoleshentë, ose sapo kanë mbushur të njëzetat, dhe flasin për shumë përvoja negative me femrat.

Futen nëpër forume që të flasin për vetminë, ku gjejnë një grup të madh djemsh të zemëruar, të cilët këmbëngulin se nuk kanë më shpresa dhe s’ka asgjë që mund ta ndreqë situatën e tyre.

Xheku ka një kanal në Youtube dhe është një nga “incelët” e paktë që janë gati të flasin me median, pas sulmit në Toronto. Të tjerë pranojnë të flasin po të ndryshojnë emrin, sepse u vjen turp për marrëdhëniet pa fat që kanë pasur në jetë. Por shumë prej tyre fshehin pikëpamje tepër ekstreme.

Një incel 19-vjeçar nga Britania e Madhe ka qenë aktiv në këto forume që prej disa vitesh. Ai është i papunë dhe jeton me familjen. E pranon që i urren femrat, dhe që pjesëmarrja ne këto forume e bën që të thotë gjërat që nuk duhej t’i thoshte, si sharje të drejtuara specifikisht grave.

Vrasësi me furgon në Toronto bënte thirrje se rebelimi i incelëve sapo kishte nisur.

Seksi dhe gjenetika

Ideja që të gjitha vajzat janë manipuluese e që shkojnë pas parasë, është një nga parimet mbizotëruese në forume. Atyre u është vënë emri “Stejsi”. Ndërsa “Çad” quhet karikatura që përhapet për burrat seksualisht të suksesshëm. Dhe incelët mendojnë se ata thjesht janë gjenetikisht inferiorë ndaj “Çadëve”.

Çadi përshkruhet shpesh si biond, muskulor, me makina sportive e me strukturë kockore të bukur në fytyrë, të cilën incelët e kanë zili. Sipas incelëve, për ata, loja e seksit dhe joshjes është bërë me hile që në lindje. Kështu që kur njëri prej tyre ka sukses me vajza, quhen si “fake-cel”, ose incelë të rremë.

Një ish-incel, i akuzuar tani si fakecel, thotë që është bashkuar me forumet kur ishte 15 vjeç, shumë i shëndoshë, pa ditur si të komunikonte në shoqëri dhe si rrjedhojë, tepër i pasigurt. Pasiguria iu shtua sidomos kur një nga vajzat ia theu zemrën, ndaj sjellja e tij kundrejt femrave nisi të bëhet gjithnjë e më ekstreme. “Ideja ishte që të gjitha vajzat janë manipulative, që e kishin në gjak të shfrytëzonin burrat”, thotë ai.

Mes tyre, Çad quhen djemtë që i tërheqin vajzat seksualisht për shkak të gjenetikës, Stejsit janë vazjat manipulative që shkojnë pas parasë e pas Çadëve.

Vrasjet në masë

Një hero mes incelëve është Eliot Roxher, i cili vrau gjashtë veta në vitin 2014, para se të vetëvritej. Ai fliste për një manifesto të mbushur me sharje ndaj femrave, e madje kishte postuar shumë video në Youtube, ku ankohej se vajzat nuk donin të bënin seks me të. Ai citohet shpesh nëpër forumet e incelëve, sidomos kur ndonjë nga anëtarët shprehet se ka dëshirë të vetëvritet, e të tjerët nëpër komente sugjerojnë dhunë, qoftë si me shaka prej humori të zi, qoftë seriozisht.

Njëri prej tyre madje i shkruante: “Mos u bëj egoist, por shko në ndonjë shkollë fillore e vrit disa fëmijë para se të vrasësh veten. Të lutem!”.

Një idhull për ta është Eliot Roxher, i cili vrau gjashtë persona në një shkollë e që shprehte një urrejtje të theksuar për vajzat në videot që nxirrte në Youtube, duke thënë se ai thjesht nuk i tërhiqte femrat, gjenetikisht.

Incelët duhen mbajtur nën vëzhgim

Moderimi ndaj grupeve të incelëve është i dobët. Reddit e bllokoi grupin më të madh në Nëntor, por ka shumë të tjerë që mbeten hapur. Mes tyre ka dhe persona që i vëzhgojnë me kujdes.

Emili, një grua nga Kanadaja, ka vite që i vëzhgon grupet e incelëve.  Ajo ka hyrë në grupet e tyre duke u hequr si mashkull e thotë që kur flet si femër merr kërcënime se do të përdhunohet. Por ajo që e trazonte më shumë ishin diskutimet mes incelëve pas sulmit në Toronto. Ndërkohë që disa incelë donin të shkëputeshin nga agresori, të tjerë përpiqeshin të mos e lejonin këtë distancim.

“Ditën e sulmit pashë një student britanik që ishte incel. Sipas tij, nuk ishte pranuar në shkollën e mjekësisë sepse ishte intervistuar nga një grua, dhe refuzimi ishte bërë ngaqë i ishte dukur shumë i shëmtuar për të qenë mjek”, thotë ajo.

“Ai kishte në plan të vetëvritej atë natë, dhe në komente kishte njerëz që e nxisnin të hakmerrej e të mos vdiste vetëm. E nxitnin të sulmonte njerëz të tjerë, dhe askush nuk po merr masa. Po ta kishte bërë ISIS këtë do të ishin angazhuar menjëherë e do të ishin arrestuar shumë veta”, thotë Emili.

Emili thotë që grupi i incelëve në Toronto është veçanërisht aktiv, ndoshta prej faktit që kryeministri i Kanadasë e quan veten feminist.

Lëvizja e incelëve duket se ka ngjashmëri me nacionalistët dhe lëvizjet kundër feminizmit, që vijnë nga e djathta ekstreme. Të dy palët e shohin botën si të ndarë nga gjenetika. Një ish-incel nga Australia, madje, thotë që u largua sepse po kthehej në diçka politike.

“Në atë kohë nuk ishin kaq të dhunshëm. Ka njerëz në këto forume që mbjellin zemërim dhe i shtyjnë të tjerët drejt lëvizjeve politike, kryesisht nga e djathta ekstreme. Unë ndalova së qeni incel në vitin 2016, në kohën kur në Australi pati debate politike. Ata fajësonin gratë për gjithçka”, thotë ai.

Kur dikush prej tyre shpreh dëshirën për vetëvrasje në forume, të tjerët i bëjnë thirrje që të mos vdesë vetëm, por të shkojë në ndonjë shkollë e të vrasë fëmijë.

Largimet nga grupi

Pas ngjarjeve të fundit në Toronto, duket se disa prej incelëve kanë vendosur të ndryshojnë mendim. Pak para se ta intervistoja, Xhek Piterson postoi një video ku shpjegonte se pse po largohet nga incelët.

“Vetëm duke u marrë me punë e duke kontaktuar njerëz në qendër të qytetit, duke folur në CNN e BBC, The Sun, kuptova që jeta ime e përditshme është shumë e mërzitshme. Kuptova që s’mund të rri e të futem gjithë ditën në forum, duke folur se sa mjeran jam. Duhet të bëj një ndryshim. Kështu që i dhashë vetes besim. Edhe nëse je thjesht një djalë i vetmuar që ende jeton me mamanë, duke bërë video se sa dështak je, ti e ke ende mundësinë të sjellësh një ndryshim në botë”, thotë ai.

Pas vëmendjes që mori në media, Xheku vuri re që po merrte vlerësime pozitive andej nga s’e priste. “Po merrja komente pozitive nga feministë e të majtë, ndërsa komuniteti i incelëve po më thoshte të vetëvritesha, ndaj nuk m’u duk e shëndetshme të qëndroja me ta”, thotë ai.

Emilia, gruaja kanadeze që i vëzhgon, ka një empati të madhe për këta djem që shprehen në mënyrë të dhunshme. “Nëse projekton dashuri në botë, do të marrësh dashuri si këmbim”, i këshillon ajo incelët. “Nëse jeni negativë ndaj grave, ato nuk do të duan kurrë të lidhen me ju. Duhet të bëni kërkime brenda shpirtit tuaj. Bota nuk është një vend plot urrejtje. Njerëzit janë miqësorë. Ju nuk jeni të shëmtuar. Ju vleni”, thotë ajo.

Xhek Piterson është njëri prej tyre që u largua nga incelët dhe zbuloi se bota është më miqësore, më e hapur, ndërkohë që incelët e tjerë në forume i bënin thirrje të vetëvritej.

Jonathan Griffin, BBC

Top Channel