Sfida e luksit, Argjentina mposht 2-0 Italinë e eksperimenteve

23/03/2018 22:39

Edhe pse një takim miqësor, një ndeshje luksi si ajo mes Argjentinës dhe Italisë ka gjithmonë brenda si nervin e lojës, ashtu dhe etjen për sukses.

Formacioni “albiceleste” dominoi thuajse tërësisht pjesën e parë të ndeshjes së luajtur në “Etihad”, edhe pse pa yllin e tyre Lionel Messi në fushë, ndërkohë që rezultati mbeti i pandryshuar me rrjeta të paprekura.

Në pjesën e dytë të kësaj miqësoreje, aty ku trajnerit Sampaoli i duhej të provonte sa më shumë lojtarë për të parë nivelin e tyre përgatitor përpara Botërorit të Rusisë, ndërsa Italia e Di Biagios thjesht mund të eksperimentonte, për shkak se nuk do të jetë pjesëmarrës në kompeticionin më prestigjioz për kombëtaret gjatë kësaj vere, diferencën e bënë argjentinasit.

Ish-mesfushori i Interit, Banega, tashmë te Sevilla, zhbllokoi rezultatin sapo kishte hyrë në fushë si zëvendësues. Një gjuajtje nga distanca, që e kapi në kundërkohë veteranin Buffon, i cili as nuk denjoi të hidhej, por u mjaftua të shihte topin të “prehej” pas shpinës së tij.

Goli i dytë do të shënohej nga Lanzini, mesfushor i Ëest Hamit në Angli, duke gjetur cepin më të largët të portës së mbrojtur nga Buffon, aty ku takohen shtylla me traversën.

Një eksperiment i dështuar ky për Di Biagion, që ndonëse aktivizoi shumë fytyra të reja në formacion, ndryshimin në portë nuk e bëri, siç edhe e kishte premtuar që pas grumbullimit të veteranit juventin. Për Argjentinën, nuk mund të shkonte më mirë sesa një fitore në një sfidë luksi të tillë.

Top Channel