Acari në Europë? Faji i Arktikut, shkencëtarët: Dimri më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në Polin e Veriut

27/02/2018 12:45

Këto ditë, e gjithë Europa po përballet me një mot të ftohtë me temperatura, që në shumë rajone të saj janë të pazakonta nën zero dhe për këtë, shkencëtarët fajësojnë motin e ngrohtë në Polin e Veriut.

Arktiku, sipas studiuesve është duke përjetuar dimrin më të ngrohtë që është regjistruar ndonjëherë, ku për një periudhë rekord prej 61 orësh, temperaturat kanë qenë mbi ato të ngrirjes.

E gjithë kjo, thonë shkencëtarët, shtyn në drejtim të jugut masat e ftohta ajrore, që në Europë përplasen furishëm me reshje dëbore rekord dhe temperatura minimale.

Fenomene të ngjashme kanë ndodhur edhe në të shkuarën, por studiuesit e qendrës së mbikëqyrjes së motit në Groenlandë thonë se ky i sivjetmi është i pashoq.

“Nuk ka qenë asnjëherë kaq ekstrem. Përreth gjithë Arktikut, temperaturat janë aktualisht -8 gradë celcius, ose rreth 20 gradë mbi normalen që duhet të ishin në këtë periudhë”, thotë Ruth Mottram, studiuese e klimës në Institutin Danez të Meteorologjisë.

Parashikimet janë akoma më pesimiste dhe shkencëtarëve danezë u janë bashkuar edhe emra të zëshëm të studimit të klimës në mbarë botën, ku kërkojnë që të ndërmerren masa, pasi çrregullime të tilla të motit në vitet në vijim do të jenë më të shpeshta.

Teoria mbizotëruese për këto fenomene fajëson ngrohjen globale, që sipas shkencëtarëve që e mbrojnë këtë tezë do të sjellë verë më të nxehtë dhe dimër gjithmonë e më të ashpër.

Top Channel