Finale e parakohshme në Europa League, Milani përballë Arsenalit

23/02/2018 13:16

Rruga që të çon në finalen e madhe të Europa League, në stadiumin e Lionit, po shkurtohet gjithmonë e më shumë, por do të bëhet më e vështirë për pretendentët e mbetur në garë.

Shorti i hedhur në selinë e UEFA-s, në Nion, ka ndërthurur fatet e 16 ekipeve të mbetura në këtë turne, e nga vazot u zbuluan përballje vërtet interesante.

Spikat mbi të gjitha Milan-Arsenal. Formacioni i trajnerit Gennaro Gattuso nuk pati probleme këtë javë kundër Ludogoretsit, por në krahasim me bullgarët, këtë herë ndaj skuadrës londineze do të bëhen të tjera llogari.

Ekipi i trajnerit Arsene Wenger, i zakonshëm në Champions League, kërkon të lërë shenjë në një turne ku shpreson se nuk do të jetë vitin që vjen. Fituesi i Europa League ka një vend të garantuar në Champions, e ky është një stimul më shumë si për Milanin, ashtu edhe për Arsenalin.

Borussia e Dortmundit ka një short të lehtë, të paktën në letër, pasi do të luajë ndaj austriakëve të Salzburgut. Lacio do të impenjohet me ukrainasit e Dinamos së Kievit, ndërsa Atletico Madrid do të presë Lokomotivën e Moskës.

Ndeshjet e para do të luhen më 8 mars dhe ato të kthimit do të jetë një javë më vonë. Finalja e madhe e Europa League do të zhvillohet më 16 maj, në Lion.

Top Channel