Spanjë, nis gjyqi ndaj klanit mafioz rus me lidhje qeveritare

19/02/2018 19:16
Bosi i mafies, Gennady Petrov, i arrestuar në 2008-n, sot fshihet në Rusi

Plot 10 vite pas operacionit të suksesshëm “Troika” të autoriteteve ligjzbatuese spanjolle, që përfundoi me arrestimin e 20 rusëve të dyshuar si pjesëtar të mafies, çështja gjyqësore ndaj tyre ka mbërritur në Gjykatën kombëtare Penale të Spanjës.

Deputeti rus Vladislav Reznik dhe 17 të dyshuar të tjerë janë paraqitur në gjyqin e zhvilluar në Madrid, të akuzuar për pastrim parash në emër të një organizate mafioze ruse. Drejtuesit më të lartë të kësaj organizate, Gennady Petrov dhe Alexander Malyshev janë ende në arrati, e besohet se fshihen në Rusi. Ndërsa disa prej të dyshuarve pretendohet se kanë lidhje me qeverinë ruse.

Në bankën e të akuzuarve janë edhe 5 shtetas spanjollë, të akuzuar për ndihmë ndaj kriminelëve rusë. Reznik tha para gjykatës se ishte dorëzuar në mënyrë që të provonte pafajësinë e tij. Ky i fundit, bashkëshortja e të cilit Diana Gindin është gjithashtu në gjyq, ka kryesuar më herët Komitetin e Tregjeve Financiare në Parlamentin rus. Ai është ende anëtar i Partisë “Rusia e Bashkuar” dhe besnik i presidentit Vladimir Putin.

Pastrimi i parave nga mafiozët rusë në Spanjë thuhet të ketë nisur në vitet ’90, kur ata më të kamurit nisën të blinin vila luksoze në Costa del Sol dhe ishujt Balearic.

Prokurorët spanjollë besojnë se më shumë se 50 milionë euro parà të mafies ruse janë pastruar nga banda kriminale e ashtuquajtur “Tambovskaya-Malyshevskaya”, me seli në Shën Pjetërburg. Kryehetuesit kanë kërkuar dënime me burg me 5 vite e gjysmë për shumicën e të dyshuarve, si dhe gjoba që arrijnë deri në 100 milionë euro.

Hetimi është bazuar kryesisht në përgjimet telefonike, në të cilat të dyshuarit pretendohet se kanë komunikuar me bosët e klanit mafioz. Njëri prej të dyshuarve, Mikhail Rebo ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorët pasi ka pranuar fajësinë, në këmbim të një dënimi të reduktuar prej dy vitesh dhe një gjobe prej 1.6 milionë eurosh.

Gennady Petrov u arrestua gjatë bastisjeve policore të vitit 2008, por më pas është arratisur për t’u kthyer sërish në Rusi. Aktpadia thotë se banda e tij “arriti të depërtojë me sukses në shtresat e aparatit shtetëror” dhe “ka lidhje me pushtetin ekonomik, politik, juridik dhe policinë në Rusi”.

Në Rusi, krimet e pretenduara të këtij grupi mafioz përfshijnë vrasjet me pagesë, trafikim të armëve dhe lëndëve narkotike, grabitje dhe falsifikim.

Njëri prej 5 spanjollëve të akuzuar është Antonio Fortuny, i akuzuar se ka krijuar një rrjet të errët biznesi që kanalizonte paratë e mafies drejt llogarive bankare “offshore”.

Ish-agjenti i shërbimeve sekrete ruse, Alexander Litvinenko, i vrarë në Londër me polonium radioaktiv 210 në vitin 2006, kishte ndihmuar zyrtarët spanjollë në hetimin e krimit të organizuar rus. Aktivitetet e tij në Spanjë dolën pas hetimit zyrtar britanik për vdekjen e tij.

Top Channel