Vala e të nxehtit rikthehet në Francë dhe Spanjë, rrezik për përkeqësimin e zjarreve

26/07/2026 15:58

Pas një fundjave me temperatura më të ulëta, vala e të nxehtit pritet të rikthehet në Spanjë dhe Francë, duke rritur shqetësimet për përhapjen e zjarreve që vijojnë të jenë aktive në të dy vendet.

Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat do të nisin të rriten nga e hëna dhe do të arrijnë kulmin të martën dhe të mërkurën, duke kaluar disa gradë mbi mesataren sezonale. Në shumë zona të Spanjës dhe Francës termometri pritet të shënojë mbi 35 gradë Celsius, ndërsa rreth Madridit temperaturat mund të arrijnë deri në 38 gradë.

Shiu i rënë gjatë fundjavës ka qenë i pakët dhe nuk ka prekur zonat më të goditura nga zjarret në Francën jugperëndimore dhe Spanjën qendrore. Parashikimet tregojnë se nuk priten reshje të tjera të paktën gjatë pesë ditëve të ardhshme.

Megjithatë, një element pozitiv për ekipet e emergjencës është dobësimi i erërave, të cilat pritet të mbeten të lehta deri të paktën të martën, duke favorizuar punën e zjarrfikësve për vënien e flakëve nën kontroll.

Top Channel