Pas fitores me nokaut ndaj Kristian Prengës, Anthony Joshua dhuroi një moment simbolik në ring, duke kërkuar një flamur shqiptar dhe duke e ngritur atë në fund të duelit.

Ish-kampioni britanik i botës mbajti në njërin krah flamurin shqiptar, në nderim të kundërshtarit të tij dhe tifozëve të shumtë në stadium, ndërsa në krahun tjetër flamurin anglez që përfaqëson. Momenti u prit me entuziazëm nga tifozët dhe u pa si një gjest respekti ndaj boksierit shqiptar.

Joshua fitoi me nokaut në raundin e dytë, pas një dueli dramatik ku Prenga e befasoi në raundin e parë, duke e vënë disa herë në vështirësi britanikun dhe duke i dhënë atij një nga momentet më të vështira në ring.

Megjithatë, eksperienca e Joshuas bëri diferencën. Në raundin e dytë, ai reagoi, mori kontrollin e sfidës dhe me një seri goditjesh të sakta e dërgoi Prengën në tapet, duke detyruar arbitrin të ndërpresë përballjen.

Pavarësisht humbjes, Kristian Prenga la një përshtypje të fortë me paraqitjen e tij, ndërsa Joshua, përveç fitores, zgjodhi ta mbyllte mbrëmjen me një mesazh respekti për kundërshtarin shqiptar.

Top Channel