Autoritetet në Prishtinë nuk po arrijnë të sigurojnë informacione nga Beogradi në lidhje me zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviçit.

Katër kërkesa në formë të shkruar i janë nisur Qeverisë së Serbisë, nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës, por asnjëra prej tyre nuk është kthyer në Prishtinë me përgjigje, në lidhje me informacionet që u janë kërkuar autoriteteve serbe.

Qeveria e Kosovës, sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri është shumë e interesuar që autori apo autorët e kësaj vepre kriminale të dalin para drejtësisë.

Oliver Ivanoviç u qëllua për vdekje më 16 janar, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte udhëheqës i Nismës qytetare “Liri, Demokraci dhe Drejtësi”. Ishte qytetar i Kosovës, por kishte edhe nënshtetësinë serbe, ndaj ishte paralajmëruar që hetimet të përfshijnë edhe shkëmbimin e informacioneve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Por, sipas ministrit Tahiri, autoritetet serbe deri më tani nuk kanë kthyer asnjë përgjigje nga 4 shkresa sa kanë dërguar autoritetet e Kosovës në adresë të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë.

“Institucionet e Republikës se Kosovës, – nënvizoi Tahiri, – kanë vullnet që të bashkëpunojnë me palën serbe në Beograd, sa i përket zbardhjes së vrasjes së politikanit serb”.

Të shtunën, me urdhër të prokurorit të rastit, autoritetet kompetente kanë arrestuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të manipulimit të provave.

Top Channel