Propozim-zgjidhja për provimin e jurisprudencës së studentëve shqiptarë në RMV, reagon Ademi: Gjuha shqipe nuk është favor as kompromis, zbatoni ligjin

02/06/2026 14:53

Lideri i lëvizjes studentore Mevlan Ademi ka reaguar ashpër ndaj propozim-zgjidhjes për provimin e jurisprudencës, për të cilën studentët shqiptarë në RMV janë ngritur në protestë.

Para se drafti zyrtar të dalë mbi tryezë, debati për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe ka marrë tashmë tonin e një përballjeje parimore. Grupi i punës i përbërë nga ekspertë kushtetues ia ka dorëzuar Qeverisë propozim-zgjidhjen që studentëve shqiptarë t’u mundësohet dhënia e provimit edhe në shqip.

Por mënyra se si është konceptuar kjo “mundësi” ka nxitur reagimin e menjëhershëm të studentëve, sepse, siç shprehen ata, ndërsa flitet për një hap përpara, vetë drafti ruan të paprekur bërthamën e përjashtimit.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ende nuk e ka parë propozimin dhe se tema do të diskutohet javën e ardhshme.

“Le ta shohim propozimin. Unë ende nuk e kam parë. Mendoj që javën e ardhshme, të hënën është dakorduar mbledhje te unë në kabinet që të prezantohet propozimi”, tha shkurt Mickoski.

Sipas tij, përpara se të miratohet, zgjidhja fillimisht do të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias që nënkupton vonesa të tjera të panevojshme.

Detajet e draftit i bëri publike zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali. Sipas tij, pjesa teorike e provimit do të mund të jepet edhe në shqip, me kërkesë të kandidatit, ndërsa pjesa praktike do të mbetet në gjuhën maqedonase, pasi argumenton ai lëndët që u jepen kandidatëve dhe që dorëzohen në gjykatë janë vetëm në atë gjuhë pavarsisht se Ligji Gjuhëve parasheh qartazi përdorimin e barazvlehshëm të të dyja gjuhëve në sistemin e drejtësisë në RMV.

Jurisprudenca, sqaroi Sali, ka shtatë provime, pesë prej të cilave teorike dhe dy që ndërthurin pjesën teorike me atë praktike. Ndryshimet parashohin shtimin e një paragrafi të ri në nenin 6, që detyron sigurimin e përkthimit të programit, akteve, literaturës juridike dhe pyetjeve të provimit, si dhe një riformulim të përbërjes së komisionit, nga “profesorë të së drejtës” në “nga radhët e profesorëve të fakulteteve juridike të akredituara në shtet”.

Mënyra e procedimit administrativ, nëse zgjidhja do të dorëzohet përmes deputetëve apo si propozim qeveritar, ende mbetet e papërcaktuar.

Pikërisht kundër kësaj logjike është ngritur lideri i lëvizjes studentore, Mevlan Ademi.

“Ende pa parë një draft zyrtar, një gjë është e qartë”, shkruan ai. “Çdo tentativë për të ofruar një zgjidhje të pjesshme, një ‘semi-zgjidhje’ apo një rrugë anash Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është e papranueshme.”

“Gjuha shqipe nuk është çështje negociate. Nuk është favor. Nuk është kompromis. Është e drejtë kushtetuese dhe ligjore”, thekson Ademi.

Në thelb të reagimit qëndron një kundërshtim që e tejkalon teknikalitetin gjuhësor. Kur një e drejtë e garantuar shndërrohet në një lëvizje “me kërkesë të kandidatit”, barra zhvendoset nga institucioni te individi: ajo që duhej të ishte detyrim i shtetit kthehet në një kërkesë që studenti duhet ta ngrejë, ta arsyetojë dhe ta presë.

Dhe kur pjesa praktike pikërisht ajo që e bën gjyqtarin gjyqtar mbetet vetëm në maqedonisht, përjashtimi nuk hiqet; ai thjesht riformatohet. Studentët e quajnë këtë jo keqkuptim teknik, por model: një zgjidhje që pretendon të riparojë padrejtësinë ndërsa ruan saktësisht mekanizmin që e prodhon atë.

Po aq i prerë është Ademi edhe ndaj logjikës së procedurave të reja dhe të vonesave.

“Nuk ka nevojë për interpretime të reja, verifikime shtesë apo procese që vetëm sa shtyjnë zbatimin e asaj që tashmë është e garantuar me ligj”, shkruan ai. Qëndrimi i studentëve ka qenë i njëjtë që në fillim: nuk kërkohet ligj i ri, sepse Ligji për Përdorimin e Gjuhëve tashmë e mbulon këtë të drejtë dhe ka epërsi mbi ligjet sektoriale të paharmonizuara. Boshllëku në ligjin për provimin e jurisprudencës nuk është një kufizim që duhet legjitimuar ai mbushet nga vetë Ligji për Gjuhët.

Dërgimi i çështjes në Komisionin e Venecias, në këtë kuadër, nuk shihet si garanci, por si rrugë që e zhvendos një detyrim ligjor në terrenin e vullnetit politik.

Ademi e mbyll me një formulë që tashmë po kthehet në moton e lëvizjes studentore, të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, pa hapësirë për bisedime:

“Zgjidhja nuk duhet shpikur. Ajo ekziston. Zbatoni ligjin. Pikë.”

Top Channel