“Hackeri” nga Fieri arrestohet për vjedhjen e 530 mln dollarëve

12/02/2018 18:50

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shtetet e Bashkuara nën akuzë për krime kibernetike u arrestua në Tiranë.

Policia shqiptare njoftoi arrestimin e shtetasit Aldo Ymeraj, 25 vjeç lindur dhe banues ne Fier, pas urdhërarrestit të lëshuar nga SHBA në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër krimit kibernetik.

I riu dyshohet të jetë pjesë e rrjetit të quajtur “Infraud”, i cili shiste të dhëna të vjedhura kartash krediti në internet duke u shkaktuar konsumatorëve një humbje prej 530 milionë dollarësh. Sipas njoftimit të policisë Ymeraj u arrestua gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Tiranë, nga Sektori Kundër Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me DVP Fier dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Pak dite me pare Departamenti Amerikan i Drejtësisë bëri të ditur se kishte ngritur padi ndaj 36 personave, 3 prej të cilëve shtetas kosovar. 13 vete u arrestuan në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Grupi ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34-vjeçar ukrainas dhe përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.

Top Channel