Fotot e Ergys Agasit nga brenda Policisë/ Pezullohen dy efektivë, hetimi ende pa autor
Ka mbërritur në Durrës trupi i pajetë i Ana Dyrmishit, 25-vjeçares që humbi jetën pas plagëve të rënda të marra në zjarrin që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës, më 16 gusht.
Korrespondentja e Top Channel, Vali Qyrfyçi mëson se Ana ndodhej në Vlorë së bashku me të fejuarin e saj, Arnaldon, për të festuar ditën e parë zyrtare të fejesës. Një udhëtim që duhej të ishte një nga momentet më të bukura të çiftit, u shndërrua në një tragjedi.
Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit në hotelin ku çifti po qëndronte. Flakët dhe tymi përfshinë godinën, ndërsa gjashtë persona mbetën të plagosur. Disa prej tyre u detyruan të largoheshin përmes ballkoneve, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve.
Ana pësoi djegie në rreth 85% të trupit. Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ajo u dërgua në Turqi për trajtim të specializuar, me mbështetjen e qeverisë shqiptare. Gjendja e saj vijoi të ishte kritike dhe, pas ditë përpjekjesh, 25-vjeçarja ndërroi jetë në një spital në Turqi.
Por as trajtimi i specializuar dhe as përpjekjet e mjekëve nuk mundën ta shpëtonin të renë nga plagët e rënda të shkaktuara nga zjarri.
Edhe i fejuari i saj, Arnaldo, pësoi dëmtime të rënda në të njëjtën ngjarje, rreth 35% djegie në trup. Ai është dërguar nga familjarët në Itali për trajtim të specializuar. Çifti nga Durrësi ishin mes personave që pësuan plagët më të rënda në zjarrin e hotelit.
Ana jetonte në Shkozet të Durrësit. Sot, familjarët, të afërmit dhe miqtë do t’i japin lamtumirën e fundit 25-vjeçares, e cila humbi jetën tragjikisht vetëm pak ditë pasi kishte nisur një kapitull të ri të jetës së saj.
Një festë fejesë, e nisur me gëzim, u kthye në një dhimbje të madhe për familjet Dyrmishi e Kaçorri dhe për të gjithë ata që e njohën Anën.
Top Channel