Krimet e Rënda “përforcojnë” Elbasanin, “arrest me burg” për Dashamir Xhikën

04/02/2018 16:38

Në një çështje të ndarë nga ajo që po shqyrtohet në Gjykatën e Elbasanit, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurisë arrest me burg për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika.

Xhika akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre së bashku me dy shtetasit A.A. dhe A.Q., ndaj të cilëve gjithashtu është dhënë masa e sigurisë arrest me burg.

Ky vendim i Gjykatës për Krimet e Rënda është marrë pas kërkesës së Prokurorisë në kohën që në Elbasan vijonte seanca maratonë për caktimin e masës së sigurisë për akuzën e ngritur ndaj Xhikës dhe paraardhësit të tij, Andi Toma për rrugën Elbasan-Gjinar.

Gjatë seancës në Elbasan, avokatët e Xhikës kërkuan përjashtimin e gjyqtares Idushe Maliqi. Kërkesa e tyre u shqyrtua nga një tjetër gjyqtar i trupës gjykuese, që në fund e rrëzoi atë duke lënë shqyrtimin e masës së sigurisë për të njëjtën gjyqtare.

Seanca më pas vijoi me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave me kërkesë të Prokurorisë, që tha se do të paraqiste dokumente, bërja publike e të cilave mund të dëmtonte hetimin.

Top Channel