Në prezantimin e kalendarit të ri artistik dhe daljen e parë për mediat për këtë vit, drejtuesja e TKOB-së bëri edhe bilancin për vitin që lamë pas: 150 shfaqje të realizuara për periudhën mars-dhjetor 2017.

“Ajo që ishte më e rëndësishme, që sinkronizohej me objektivin tonë kryesor, ishte rritja e audiencave. Ne arritëm ta kishim në të gjitha performancat tona 258.055 spektatorë. 104% më shumë kemi realizuar të ardhura nga biletat në krahasim me vitin e kaluar”, deklaroi Çela.

Ulja e kostos së honorareve, sipas zonjës Çela, duke i dhënë shansin artistëve shqiptarë, ka ndikuar në rritjen e buxhetit: “Në krahasim me vitin e kaluar, gjatë vitit 2017 TKOB ka arritur të ngrejë fondin e vet të të ardhurave me 181% më shumë sesa në vitin 2016”.

Sezoni i ri artistik do të nisë me operën “Carmen”, me regjinë e baritonit Gëzim Myshketa.

“Personalisht më lidh fakti që është opera që kam kënduar më tepër. Është një vepër që i kënaq të tërë sepse përçohet nga një muzikë sublime, që nga nota e parë e uverturës deri në momentin final. Kishte 11 vjet që “Carmen” vendoset çdo vit nëpër opera, neve na mungonte”, u shpreh Myshketa.

“Carmen” do të vijë premierë mbrëmjen e 30 janarit në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Top Channel