Sporti mund politikën. Koreja e Veriut dërgon ekip në Jug për Olimpiadën

09/01/2018 09:26

Lojërat Olimpike të dimrit shkrijnë akullin mes dy Koreve. Peniani vendosi të dërgojë një delegacion në PyeongChang, i pari rezultat i prekshëm i dialogut mes përfaqësuesve të lartë të të dy vendeve fqinje, në armiqësi të hershme me njëri-tjetrin.

Delegacioni do të përfshijë atletë, grupe të performancës artistike, ekipe të arteve marciale taekëondo, funksionarë e tifozë.

Olimpiket Dimërore janë parashikuar të mbahen në Korenë e Jugut nga data 9 deri më 25 shkurt.

Bisedimet, pasojë e të cilave ishte edhe njoftimi i rrallë, janë të parat e këtij niveli në më shumë se dy vite.

Seuli shfrytëzoi rastin për të propozuar ndër të tjera zhvillimin e takimeve të familjarëve të ndarë prej luftës koreane, momente këto të pritura me padurim nga palët e interesuara. Ideja është që takimet të zhvillohen gjatë pushimeve të vitit të ri hënor, të cilat qëllojnë në mesin e Lojërave Olimpike.

Jugu kërkon po ashtu rifillimin e negociatave mbi çështjet ushtarake dhe programin bërthamor të Veriut, e për të lehtësuar pjesëmarrjen e Penianit në Olimpiadë po mendon që në koordinim me OKB-në, të heqë përkohësisht disa prej sanksioneve më të rëndësishme të vendosura shtetit komunist.

Peniani nuk i është përgjigjur ende këtyre propozimeve, megjithatë, për ekspertët edhe kaq sa është arritur deri tani duhet konsideruar si ndryshim dramatik, nisur nga fakti që vetëm përpara pak kohësh, Koreja e Veriut kërcënonte botën me luftë bërthamore.

Top Channel