Luis Enrique: Shtypi nuk kupton nga futbolli, duam të fitojmë gjithçka

01/05/2024 08:23

Pasi eliminoi Barcelonën, Paris Saint Germain do të përballet me gjermanët e Borussia Dortmund për një vend në finalen e madhe të “Wembley”-t në Ligën e Kampionëve.

Francezët shihen si favoritë për t’u kualifikuar, megjithatë nuk mendon kështu trajneri Luis Enrique, i cili në konferencën e zakonshme para ndeshjes nuk kurseu as ironinë me median.

“E kam thënë gjithmonë që shtypi nuk kupton asgjë nga futbolli. Jemi në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve dhe çdo skuadër ka ardhur këtu me meritë. Kushdo që të eliminohej, do të zhgënjehej shumë, ndaj këto sfida janë pa favoritë. Ne do të provojmë të shkojmë në finale, duke luajtur futbollin tonë, falë të cilit kemi ardhur deri në këtë pikë”, u shpreh trajneri spanjoll.

PSG-ja ka fituar titullin kampion, ka siguruar finalen e Kupës së Francës, ku do të përballet me Lyonin më 25 maj dhe po luan në gjysmëfinalet e Championsit, duke qenë në garë për të bërë tripletë trofesh këtë sezon, teksa Luis Enrique zbulon se skuadra është rritur shumë.

“Jemi në garë për të tre trofetë, por do të jetë shumë e vështirë. Jemi të lumtur që fituam titullin dhe tani mund të përqendrohemi më shumë në kompeticionet e tjera. Natyrisht që kemi shanse reale t’ia dalim, pasi që kur kam ardhur, skuadra është rritur nga ndeshja në ndeshje, duke u përmirësuar shumë në fazën mbrojtëse, por edhe në manovrën sulmuese. Kemi ende gjëra për të përmirësuar, por do të luajmë shanset tona për të fituar të gjithë trofetë e mundshëm”, tha spanjolli. /Supersport

Top Channel