Ndoshta është ende herët për të thënë se “plaga” e rihapur mes Gigio Donnarummës dhe tifozëve të Milanit do të “shërohet” shpejt. Por e sigurtë është se, ultrasit kuqezi kërkojnë që portieri të ndajë mendjen dhe të ndërmarrë një tjetër rrugë nga ajo që ka ndjekur deri më sot.

Kjo do të thotë se Gianluigi Donnarumma duhet të heqë dorë nga Mino Raiola, agjenti i konsideruar si “e keqja” që kërkon të dëmtojë Milanin, edhe nga vet drejtori sportiv i kuqezinjve, Mirabelli.

Giancarlo Capelli, i mbiquajtur edhe si “Barone”, gjatë një ndërhyrjeje telefonike për emisionin “4-4-2” i ka dhënë një ultimatum portierit gjigant të portës kuqezi: Shkëputja e marrëdhënieve me Raiolën është gjëja e parë që duhet të bëjë. Tashmë s’ka më vend për fjalë, por për vepra!

Kontestimi ynë kundër Donnarummës i ka rrënjët prej 6-7 muajsh. Në qershor, ne shpalosëm një parullë ku kërkonim qartësi, pasi vetëm kështu mund të ecej përpara”, është shprehur kryetifozi i “Curva Sud”.

“Mirëpo gjatë këtyre muajve, Donnarumma nuk ka reaguar fare, ndaj dhe ka rënë sërish prè e agjentit të tij. Tani, këto ditët e fundit kanë dalë në medie gjëra që nuk i bëjnë mirë askujt, e ajo që e pëson nga të gjitha këto thashetheme është skuadra, por për pasojë edhe ne tifozët. Ne duam qartësi, pasi jemi lodhur nga kjo situatë. Ai thotë se e dashuron Milanin dhe është shumë i lidhur me Milanin, madje ka bërë edhe veprime të kësaj natyre në Torino vitin e kaluar, por ne kërkojmë qartësimin përfundimtar: duhet të ndërmarrë veprime konkrete”, shton më tej ai.

“Dje në stadium ishte edhe familja e tij. E di që i gjithë inati është kundër Raiolës – vijon më tej Capelli. – Gjatë ndeshjes Milan-Verona arritëm deri në atë pikë sepse menduam që kishim shkuar në limite. A kërkojnë tifozët që ai të heqë dorë nga agjenti Raiola? Sigurisht që është gjëja e parë, sepse më rezulton se është gjithnjë ai që flet. E nëse familja e portierit thotë se këto thashetheme nuk janë të vërteta, atëherë ai vet duhet të marrë një vendim. Nëse jo, atëherë i bie që po tallen me të. Ai ka probleme familjare, për të cilat na vjen keq. I urojmë më të mirat familjes së tij. Por për ne duhet t’i jepet fund kësaj çështjeje”.

Edhe sa i përket pozicionit të tifozëve të “Curva Sud” kundrejt klubit, gjithçka është e qartë.

“Jemi dakord me ato çfarë ka deklaruar klubi. Tani është Donnarumma që duhet të marrë vendimin e tij. Por jo me fjalë, se tashmë s’ka më vend për to, duhen vepra. A do të vazhdojë kontestimi edhe në ndeshjet e ardhshme? Ne thjesht ekspozuam një parullë, kontestimi ishte diçka spontane. Megjithatë nuk ishim vetëm ne që e vërshëllyem, edhe tribuna VIP vërshëllente sa herë që ai kapte topin. Do të shihemi sërish këto ditë dhe…do të flasim. Por më parë duam të kuptojmë sesi do t’i jepet fund kësaj. Gjithçka do të jetë në varësi të sjelljes së lojtarit. Po për lojtarët e tjerë të Milanit që kanë për agjent Raiolën? Nuk na intereson, këtu flitet vetëm për Donnarummën, që ka kërkuar një kërkesë të çmendur për pagën e tij, ndërsa të tjerët jo. Tani për tani flasim për të, nëse edhe të tjerët do të kërkojnë çmendurira, do ta vlerësojmë në të ardhmen”.

Top Channel