Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev vizitoi Prishtinën, ku u prit nga homologu i tij kosovar, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Haradinaj i vlerësoi si mjaft të mira marrëdhëniet dypalëshe, si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

“Kjo vizitë na ndihmon që marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Maqedonisë të përparojnë. Kemi marrë shumë detyrime, që besoj se do të finalizohen në të ardhmen, edhe në takimet e përbashkëta të të dy qeverive të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë, në interes të qytetarëve të të dyja vendeve”, tha Haradinaj.

Përgjigjja e Zaevit ishte se Kosova mund të llogarisë mbështetjen e Shkupit në të gjitha proceset e saj, duke lënë të kuptohet se kjo do të ndodhë edhe me përpjekjet për anëtarësim në UNESCO.

Në takim, ai theksoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe projekteve konkrete, si autostrada që lidh dy vendet, ndërsa preku dhe një tjetër çështje nevralgjike të momentit.

Kreu i ekzekutivit maqedonas deklaroi përpara gazetarëve se do të ketë një hetim për rastin “Kumanova”.

“Kjo është një çështje shumë e ndjeshme, të cilën nuk e ka provokuar as Zaevi, as Ramush Haradinaj. Kjo është një çështje për të cilën qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën. Kemi rënë dakord që të ketë hetim ndërkombëtar, ose të dërgohen përfaqësues ekspertë, të cilet do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet dhe provat”, tha Zaev.

Haradinaj është ftuar nga Zaevi që të vizitojë Maqedoninë nga fillimi i vitit të ardhshëm, kur do të mbahet dhe një mbledhje e përbashkët e të dy qeverive.

Top Channel