Partizani nuk përfiton nga lodhja e Skënderbeut, barazim pa gola

27/11/2017 18:52

Partizani nuk ka mundur të shkojë më shumë sesa barazimi pa gola në supersfidën e javës së 12 të Kategorisë Superiore, kundër Skënderbeut në “Selman Stërmasi”.

Ekipi i “demave të kuq”, që zbriti në këtë takim me një mungesë të rëndësishme në krye të pankinës, si pasojë e pezullimit të Sulejman Starovës pas ndeshjes me Kukësin, tentoi disa herë të gjente rrugën e rrjetës, por edhe shpërdoroi.

Skënderbeu vinte në këtë takim në një gjendje disi më të dobët fizike, si pasojë e impenjimit të enjten e kaluar me Dinamon e Kievit për ndeshjen e Europa League, por duket se “ujqërit e dëborës” i kanë të gjitha mundësitë që të sfumojnë këtë mbingarkesë fizike, falë organikës së pasur të lojtarëve.

Me këtë rezultat, Skënderbeu vijon kryesimin e Superiores me 6 pikë më shumë sesa kampionët e Kukësit të vendit të dytë, ndërsa Partizani rikuperon një vend në klasifikim, duke u ngjitur në të gjashtin me 15 pikë në 12 javë, po aq sa kanë edhe Laçi e Teuta në vendet 5 dhe 7 respektivisht.

Top Channel