“Salvator Mundi”, nuk dihet blerësi, por pronari që e shiti po

16/11/2017 18:16

Askush nuk mund të thotë se miliarderi rus, Dmitri Rybolovlev, nuk ka mendjemprehtësi në çështje biznesi. I ardhur në vitin 2013 në krye të Monacos, manjati rus ka shpenzuar 155 milionë euro për të afruar lojtarë si Falcao, James dhe Moutinho, por në vitet e fundit duket se ka një ndryshim strategjie: po investohet te të rinjtë.

Të shumta kanë qenë përfitimet e regjistruara nga shitblerjet e lojtarëve, por veprimi më i fundit i miliarderit rus nuk ka të bëjë me futbollistët e klubit të principatës.

Sipërmarrësi i lindur në vitin 1966 ka arritur të shesë veprën “Salvator Mundi” të Leonardo Da Vinçit, që e kishte blerë në vitin 2013 për 127.5 mln euro. Vepra e artit është shitur në ankand në Nju Jork, për shifrën rekord të 450.3 milionë dollarëve.

Një arritje e madhe për Rybolovlev, që konfirmon kështu sesa mirë ka bërë në vitin 2017. Përgjatë verës u shitën disa lojtarë me vlera stratosferike, nga të cilët spikat shitja e Kylian Mbappe te Paris SG, edhe pse në formën e huazimit me detyrim blerjeje për 180 mln euro vitin e ardhshëm.

Por nuk mund të lihet pa u harruar operacioni “Mendy”, që i kishte kushtuar vetëm 13 mln euro, dhe Bernardo Silva, i blerë për 16 mln euro, me të dy lojtarët që përfunduan te Manchester City i Guardiolës për shifrën totale të 107.5 mln eurove. Bakayoko u afrua te Monaco nga Rennes për 8 mln euro, por u shit te Chelsea për 44.5 mln euro. Në fund, shitjet e Germain dhe Allan Saint-Maximin te Marseja dhe Nica respektivisht, sollën në arkën e Monacos edhe 18 mln euro të tjera.

Top Channel