Gjesti “alla Cantona”, Marseja e shkarkon. Evra rrezikon “të varë këpucët në gozhdë”

03/11/2017 13:28

Goditja në fytyrë ndaj një mbështetësi të Marsejës, para një ndeshjeje të Europa League, ishte gjesti i fundit i Patrice Evra, tashmë 36-vjeçar, me fanellën e ekipit francez.

Të gjithë në vendin transalpin kanë dalë hapur kundër futbollistit me eksperiencë, për shkak të çmendurisë së tij, pak para përballjes ndaj Vitoria Guimaraes. Hipoteza për sanksionet ndaj futbollistit të Francës dhe Marsejës shkon deri në 7 muaj pezullim, por Evra është shkarkuar pa pritur gjatë nga klubi marsejez.

Sondazhet tregojnë se, agresioni i mbrojtësit ndaj një tifozi është fundi i karrierës së tij.

I pashmangshëm në forumet e tifozëve ishte krahasimi me një tjetër futbollist francez, legjendën e Manchester United, Eric Cantona. Ky i fundit u dënua në vitin 1995 me dy javë burgim për shkelmin ndaj një tifozi të Crystal Palace, sanksion i ulur në Apel me 120 orë shërbim në komunitet.

Por në rastin e Patrice Evra, UEFA do të jetë më e ashpër, e për mbrojtësin me ngjyrë pritet një mungesë e gjatë në fushat e lojës, me vendimin e Komisionit të Disiplinës që pritet të merret më 10 nëntor.

Top Channel