Një muze i stilit etnovibe, bashkëkohor, por i frymëzuar nga tradita, mblodhi në Muzeun Historik Kombëtar të ftuar nga fusha të ndryshme për të celebruar modën në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulurore.

Një event i veçantë, ku pasuria etnografike kombëtare u ndërthur me modernen, si përshtatje ndaj shijes e kërkesës së kohës.

Krijimet e stilisteve Besa Neziri Rugova, Dorina Kola dhe Bela Maçi, u prezantuan si koleksione të frymëzuara nga rrënjët dhe elementet e kostumografisë dhe etnografisë shqiptare.

Jelekë, xhubleta, por edhe rripa mesi, sa tradicionalë aq edhe modernë, në detajet e tyre, balerina të veshura me kostume tradicionale, muzikë live me lahutë e instrumenta të tjera tradicionale, në një prezantim ndryshe, ku e vjetra dhe e reja erdhën si një urë lidhëse midis traditës dhe kontemporanes.

Mbrëmja kulmoi me sfilatën e shfaqur në ‘Ledëall’, ku kostume fashion nga një sërë krahinash shqiptare u prezantuan për të pranishmit, veshje ku binin në sy rafiniturat moderne dhe tendencat e kohës.

Ekspozita e çelur me këto veshje do të qendrojë e hapur në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar gjatë gjithë javës së parë të muajit tetor.

Top Channel