“Hajdutët” e bankës nuk pranojnë akuzën

20/09/2017 00:00

Asnjë nga dy të akuzuarit për vjedhjen e një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-bllokut, nuk e pranon akuzën.

Alan Babameto dhe Roland Liti janë identifikuar nga organi i akuzës si autorët e vjedhjes spektakolare të kasafortës së një banke, nëpërmjet murit të bodrumit. Por, në Gjykatën e Tiranës, ku ka nisur gjykimin kjo çështje, avokatët mbrojtës të dy të pandehurve pretendojnë pafajësi. Madje, avokati i Babametos ka kërkuar gjykim të shkurtuar duke pretenduar pafajësi me provat që ka sjellë vetë prokuroria.

Ndërsa i pandehuri tjetër Roland Liti kërkoi që ndaj tij të zhvillohet procesi normal. Por, kjo kërkesë është kundërshtuar nga përfaqësuesi i prokurorisë, sipas të cilit, çështja është komplekse dhe e kryer në bashkëpunim dhe ndarja do të dëmtonte procesin. Për të vendosur në lidhje me këtë kërkesë, trupi gjykues kërkoi të merrte një javë kohë.

Ndërkohë, në seancën e së mërkurës, gjykata ka vendosur të ndaje më vete kërkesën civile të përfaqësuesve të bankës dhe një kompanie sigurimesh, pasi sipas kryesuesit të gjykimit, padia civile dëmton procesin penal dhe e zvarrit atë. Përfaqësuesit e bankës kërkojnë ndaj dy të pandehurve rimbursimin e plotë të vlerës perj 19 milionë lekësh që u vodhën nga kasaforta.

Top Channel