Rooney, përballë ultimatumit të së shoqes

11/09/2017 00:00

Nga ajo që lexohet në tabloidët britanikë, duket se në shtëpinë e Wayne Rooney ka ardhur koha e ultimatumeve. Pas arrestimit të futbollistit për shkak se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, e më pas zbulimit nga bashkëshortja se ai ndodhej në automjetin e një tjetër gruaje (Laura Simpson), martesa mes çiftit mund të ketë mbërritur drejt fundit.

Por, duke parëse në mes janë edhe 3 fëmijë dhe një i katërt në ardhje, kanë lindur edhe thashetheme mbi sforcon e njërit apo tjetrës në përpjekje për të shpëtuar “çatinë” e përbashkët. Në Twitter, ndërkohë, ka qenë vet bashkëshortja Coleen, e cila ka paralajmëruar “të jetë i kujdesshëm ndaj gjithë këtyre burimeve që ka shtypi”.

Në këtë mënyrë kanë dalë thashethemet se, javën e kaluar, Rooney i ka premtuar bashkëshortes se nuk do të konsumojë më alkool, nëse ajo planifikon të shkojë me pushime, ndërsa dje, Coleen besohet t’i ketë kërkuar të shoqit të marrë leje nga Evertoni, klub ku aktivizohet tashmë, për të sistemuar gjërat në shtëpi, gjë që do të thotë se Rooney do të duhet të heqë dorë nga disa ndeshje të rëndësishme, mes të cilave edhe debutimi në Europa League ndaj Atalantës, ditën e enjte.

Megjithatë, nuk dihet nëse Ronald Koeman do ta pranojë vërtet kërkesën e tij.

“Coleen ka kërkuar që familja të largohet disi nga gjithçka ka ndodhur kohët e fundit, për t’u përpjekur të zgjidhë problemet”, ka thënë një burim anonim për “the Sun”. “Ndaj i ka kërkuar Wayne të flasë me trajnerin e tij për të marrë pushime për motive personale. Që nuk është në kushtet më të mira psikologjike për të luajtur, kjo shihet qartë. Por nëse kërkon ta shpëtojë martesën, ka ardhur momenti që ta vendosë futbollin në radhë të dytë”.

Top Channel